Fotaq Duro, është shoku im i fëmijërisë dhe i klasës ne 8-vjeçare. Gjithmonë i pari mes nesh ne numrin e madh të librave te lexuara. Gjithmonë e kemi konsideruar si "viktime" të një rregulli absurd të vendosur në Shqipëri ne mesin e viteve shtatëdhjetë të dhënies vetëm të një burse apo të drejte studimi universitare në një familje.
Fotaqi ishte një nxënës ekselent dhe mund të kishte ndjekur edhe një dege me karakter shkencor dhe të bëhej më i vlefshëm për shoqërinë. Por ai u detyrua dhe ndoqi studimet në Shkollë e Bashkuar të Oficereve, për të mos mbetur pa përfunduar një shkolle të lartë. Edhe në atë profil ai shkëlqeu duke kontribuar me shumë punë shkencore dhe eksperimentale gjate viteve të komunizmit në ushtri dhe në reformën e transformimit dhe reformimit të ushtrisë shqiptare deri në momentin kur ushtria shqiptare u be pjesë e NATO-s.
Ky rregull i mbrapshtë "dogji" shumë nxënës të shkëlqyer në atë kohë.
Por falë një mendimi të shkrimtarit Dritëro Agolli, është shprehur për gazetën lokale të Gjirokastrës eruditi Moikom Zeqo, ky rregull i pakuptimte, u aplikua vetëm dy a tri vjet.
Pas një dialogu te shkurtër midis Enver Hoxhës dhe shkrimtarit Dritero Agolli, tregon Moikom Zeqo, ky rregull u anulua.
Enveri pyeti Driterone "Si të duket ky rregulli i ri që nxori partia: një të drejtë studimi për çdo familje? Të ketë mundësi studimi në universitet çdo familje shqiptare. Si mendon ti Dritëro?"
"Mua mirë më duket shoku Enver. Por, sikur ky rregull të funksiononte kështu në kohën e shkollimit të Frashëllinjve, do kishim vetëm një rilindas nga kjo familje e madhe, jo tre, sa për fat kemi patur në shërbim të çështjes kombëtare", u përgjigj Dritëroi.
Pas kësaj përgjigje të mençur, rregulli absurd u hoq dhe nuk u aplikua më./ Engjell Serjani