Kryeministri Edi Rama pasditen e kësaj të mërkure ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Gjatë kësaj konference kreu i qeverisë komentoi dhe protestën e opozitën e cila u zhvillua ditën e sotme para ambienteve të Parlamentit Europian në Strasburg.
Kryeministri tha se nëse nuk ka një dyshe për tango, atëherë ka vetëm një muzikë të BE-s. Duke shtuar më tej se qeveria do të vazhdojë me detyrat e saj për të anëtarësuar vendin në Bashkimin Europia pasi e vetmja rrugë që Shqipëria ka është ajo drejt BE-së.
“Duhen dy për një tango thotë një fjalë, nëse nuk ka një dyshe për një tango atëherë ka vetëm një muzikë që është muzika e BE që është e shkruar në mijëra partitura me detyra konkrete, afate konkrete”, tha Rama ndër të tjera.
Ndërkohë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka folur pas përfundimit të protestës sensibilizuese në Parlamentin Europian ku morën pjesë rreth 30 deputetë të opozitës.
Bardhi u shpreh se gjatë takimit me krerët e Parlamentit Europian të gjithë u suprizuan nga informacionet që ata u përcollën.
“Siç e thash ka qenë vit zgjedhor dhe për PE-në, duket të kemi në konsideratë dhe zhvillimet globale.
Një pjesë e tyre ndjekin zhvillimet, pjesa tjetër, bazuar mbi informacione dhe fakte që ne u dhamë, ishin të surprizuar se si një vend i NATO-s dhe vend kandidat për në BE, po shkon drejt një shteti personal të një individi, një shteti autokrat që shtyp opozitën dhe fuqizon krimin e organizuar. Në këtë mënyrë shkelmohet çdo vlerë dhe parime europiane”, tha Bardhi.
Kujtojmë se këtë të mërkurë 30 deputetë të opozitës u mblodhën para ambienteve të Parlamentit Europian. Me pankarta në duar ata kërkuan lirimin e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe të kolegut të tyre, Ervin Salianji.