Hapësire reklamuese

Aktualitet

Për herë të parë në Tiranë, Kisha Autoqefale meshë në kujtim të shqiptarëve të Çamërisë (VIDEO)

Shkruar nga Newsbomb
Për herë të parë në Tiranë, Kisha Autoqefale
Meshë përshpirtjeje në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë

Kujtimi i shqiptarëve ortodokse të Çamërisë është kujtuar përmes një meshe të veçantë, e cila është mbajtur për herë të parë në Tiranë në ambientet e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Ceremonia u mbajt në mjediset e Kishës së Metamorfozës në Tiranë në prani të dhjetra besimtarëve, ndërsa Meshtari i kishës, At Kristo Sharko kreu përshpirtjen në kujtim të Spiro dhe Thoma Çalluka, Gaqo Pasko, Dhimo Kasari, Ilia Nasto, Thimi Gogozoto, Petro Sharra, Ilia Konomi dhe gjithë ortodoksët e tjerë shqiptarë të vrarë nga forcat zerviste gjatë genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Të gjithë punuan për atdheun e tyre, Shqipërinë deri në momentin e fundit të jetës. Veçanërisht Spiro Çalluka, drejtuesi i arsimit shqip në Paramithi që vdiq në kushtet e torturave çnjerëzore, në moshën 87-vjeçare dhe u la tre ditë i varur në mes të qytetit, për tu treguar shqiptarëve të tjerë ortodoksë fatin që do të pësonin nëse deklaroheshin shqiptarë.

“Shqipëria do të më marrë hakën” - ishin fjalët e fundit të avokat Spiro Çallukës, drejtorit të arsimit shqip të Paramithisë 80 vjet më parë kur ndërroi jetë. 

Përshpirtja është liturgji ortodokse që lutet për të përkujtuar të vdekurit. Ky është rasti i parë që në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë kryhet një përshpirtje për shqiptarët ortodoksë të Çamërisë.

Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë, është një nga kapitujt më të errët në historinë e Ballkanit. Ky gjenocid ndodhi kryesisht gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1944 deri në vitin 1945, kur mijëra shqiptarë të Çamërisë u masakruan, dëbuan dhe persekutuan nga forcat greke.

Shqiptarët e Çamërisë, të cilët ishin kryesisht myslimanë, u përballën me një fushatë të dhunshme pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Një nga momentet kulmore të këtij gjenocidi ishte kur forcat e EDES-it (Lëvizja Kombëtare Republikane Greke) nën drejtimin e Napoleon Zervës kryen masakra dhe spastrime etnike ndaj popullsisë çame. Në këtë periudhë, mijëra çamë u vranë në masakra të ndryshme, duke përfshirë gratë, fëmijët dhe të moshuarit, ndërsa pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare të Çamërisë u dëbua me forcë nga trojet e tyre historike.

Pas këtyre ngjarjeve tragjike, shumë shqiptarë të Çamërisë u detyruan të ikin drejt Shqipërisë, ku u strehuan dhe u përballën me kushte të vështira ekonomike dhe sociale. Shtëpitë dhe pronat e tyre në Çamëri u konfiskuan dhe nuk u kthyen kurrë më.

Kjo tragjedi është një plagë e hapur për shqiptarët e Çamërisë dhe pasardhësit e tyre. Përpjekjet për të njohur dhe për të kërkuar drejtësi për viktimat dhe të dëbuarit kanë vazhduar ndër vite, por çështja mbetet ende e pazgjidhur në nivel ndërkombëtar. Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë është një kujtesë e hidhur e pasojave të dhunës dhe urrejtjes etnike, dhe një thirrje për pajtim dhe drejtësi.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese