Konferenca e Rrjetit Parlamentar “Women free from Violence” po zhvillohet për herë të parë në Tiranë, si një bashkëorganizim i Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës.
Ceremonia e çeljes së saj u mbajt sot në mbrëmje në Pallatin e Brigadave, me praninë e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla, Kryeministrit Edi Rama, Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Despina Chatzivassiliou, Raportueses së Përgjithshme për dhunën ndaj grave në Asamblenë Parlamentare të KiE, Etilda Gjonaj, si dhe deputetë e të ftuar të tjerë.
Gjatë fjalës së saj Raportuesja e Përgjithshme për dhunën ndaj grave në Asamblenë Parlamentare të KiE, Etilda Gjonaj u shpreh mirënjohesë për mbajtjen e këtij eventi kaq të rëndësishëm në Tiranë, ndërsa shton se prania e tyre reflekton prioritetin e rëndësishëm që mbartin të drejtat e grave në Këshillin e Europës si dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Shqipërisë.
“Do të doja ta nisja fjalën, duke shprehur mirënjohjen time të përzemërt për prezencën tuaj sot dhe për mesazhet tuaja kaq të vlefshme. Po ashtu, dua të shpreh falenderimet e mia të veçanta për bashkëorganizimin dhe mbajtjen për herë të parë në Tiranë, të një aktiviteti të Rrjetit Parlamentar “Ëomen Free from Violence”.
Prania juaj, së bashku me të gjithë ekipin e Asamblesë, reflekton prioritetin e rëndësishëm, që mbartin të drejtat e grave në agjendën e të drejtave të njeriut të Këshillit të Evropës. Të gjithë ne, ju falënderojmë për mbështetjen e vazhdueshme, që i keni dhënë Shqipërisë dhe kauzave tona në Asamblenë e Këshillit të Europës.