Sot pensionistët janë mbledhur përsëri përpara kryeministrisë për të protestuar për rritjen e pensioneve. Kjo është protesta e tretë e organizuar nga Lëvizja Bashkë duke thirrur në një tubim masiv të gjithë pensionistët për të ngritur zërin për të drejtat e tyre.
“Kam ardhur nga Gjirokastra, për një pension dinjitoz sepse me 100 mijë lek nuk kemi çfarë të bëjmë. Të blejmë ilaçe? Të përballojmë jetën? Prandaj kemi dal”, ka thënë një pencionist, raporton Top Channel.
Të gjithë protestuesit ankohen pasi nuk përmbushin dot kushtet minimale të jetesës. Pensionistët thonë se paratë që marrim nuk mbulojnë as shpenzimet mjekësore për ilaçe e as për blerjen e ushqimeve bazë.
“Kam qenë pedagoge në arsim për 33 vite dhe marr pension 156 mijë lekë”, thotë një pensionist tjetër.
“40 vite, punëtor krahu. Marrim pension të ulët shumë. Na ndihmojnë kalamajtë, iu biem kalamajve në qafë”, thanë ata.
Gjithashtu gjatë protestës është dashur dhe ndërhyrja e ambulancës pasi një nga të moshuarit nuk është ndjerë mirë.