
Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Fortlumturia e Tij Bartholomeu, ka uruar Joan Pelushin, për zgjedhjen në Krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Imzot Joan Pelushi është zgjedhur kryepeshkopi i ri i Kishës Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Kambanat lajmëruese ranë në Kishën Ortodokse si shenjë e zgjedhjes së Kryepeshkopit të ri.
Sinodi i Shenjtë zgjodhi Kryepeshkopin e ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, që do të pasojë Kryepeshkopin e ndjerë Anastasin.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos ndërroi jetë në moshën 95 vjeçare, në 25 janar në një spital në Athinë. Trupi i tij prehet në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Kjo është hera e parë që Sinodi zgjedh kryepeshkop, pasi Kisha Ortodokse u udhëhoq për më shumë se tri dekada nga Anastasi. Sinodi i Shenjtë i Kishës u mblodh pas Liturgjisë Hyjnore, ku besimtarët u lutën që anëtarët e sinodit të kenë ndriçimin të votojnë njeriun e duhur, ndërsa përkon edhe me Ditën e Dytë të Kreshmës.
Mesazhi i urimit:
Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, z. Joan
Në Tiranë.
Fortlumturi vëlla i shenjtë,
Sapo morëm në Fanar lajmin e zgjedhjes Tuaj të denjë në Fronin Kryepiskopal të Shqipërisë, nxitojmë t’ju përgëzojmë nga zemra dhe në pritje të Letrave Tuaja të Nderuara Paqësore, qëndrojmë me shumë respekt dhe dashuri në Zotin, duke ju uruar një shërbim të gjatë dhe të shkëlqyer Kryepriftëror!
I denjë!
Vëllazërisht,
† Bartholomeu i Konstandinopojës.