
Është shtyrë sërish seanca për biznesmenin Pëllumb Gjoka, i cili u arrestua gjatë operacionit “Metamorfoza”.
Bëhet me dije se seanca ditën e sotme është shtyrë pasi Gjoka ka munguar në gjyq për shkak se ka probleme shëndetësore.
Gjoka ka shfaqur probleme me zemrën, i ka pasur aritmi gjë që e ka penguar që të bëjë edhe operacionin në këmbë, të cilën e theu pak ditë më parë në burg.
Seanca e radhës u caktua në datë 18 korrik ora 11.00. Kujtojmë që një javë më parë Gjoka ka thyer këtë të enjte këmbën në ambientet e burgut. Biznesmeni ka thyer këmbën teksa ishte duke u marrë me aktivitetet sportiv brenda ambienteve të burgut.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka, u arrestua në 27 korrik të vitit 2023 gjatë operacionit "Metamorfoza" pasi emri i tij figuronte në përgjimet e aplikacionin "Sky" si porositës i një vrasjeje.
Nga hetimet dhe përgjimet e SPAK rezulton se Pëllumb Gjoka është i përfshirë edhe në vrasjen e Gjin Boriçit. Sipas përgjimeve të zbardhura nga SPAK, nga bisedat e kryera në aplikacionin SKY ECC, pjesëmarrës në këtë krim janë Pëllumb Gjoka, i cili në këto biseda, mban pseudonimin ‘Kolombo’.
Pëllumb Gjoka akuzohet për një sërë veprash penale duke nisur nga “Vrasja me paramendim”, “Shpërdorimi i detyrës” deri tek “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Krijim kushte për vrasje”.
Më herët Pëllumb Gjokës i është sekuetsruar edhe 390 mijë metra tokë në plazhin e Velipojës me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pasi dyshohet se këto sipërfaqe janë përfituar me anë të falsifikimit.
Pasuritë e vendosura në sekuestro janë:
1-113.500 m2 pasuri e llojit pyll, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tregëtare.
2- 61.470 m2 pasuri pyll, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tjetër tregëtare.
3- 215.030 m2 pasuri pyll, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të shtetasit Kolë Gjoka.
Ky sekuestrim erdhi pas hetimit penal të nisur ndaj tij, teksa SPAK ka të hapur edhe hetimin pasuror prej gushtit dhe është duke kaluar në sitë edhe pasuri të tjera në pronësi të biznesmenit dhe të afërmve të tij.