
Newsbomb.al publikon pamjet nga masakra mjedisore e kompanisë "Gjoka Konstruksion" në Parkun Kombëtar të Llogarasë, aty ku po ndërtohet tuneli që përshkon malin dhe del në anën tjetër të bregut. Një masakër mjedisore që po mbyt jugun.
Pika e përpunimit të inerteve që kompania ka ndërtuar prej muajsh në hyrje të tunelit të Llogarasë ka gllabëruar sipërfaqe publike dhe po e shfrytëzon atë për të marrë inerte që duhen gjatë procesit të punës.
Siç shihet në pamjet e siguruara nga newsbomb.al, nga rruga kryesore Dukat-Llogara, firma "Gjoka Konstruksion" po shkatërron gjithë zonën e gjelbëruar në hyrje të Parkut Kombëtar, duke zhdukur sipërfaqe të mëdha me pemë e bimësi të tjera për të nxjerrë inerte.
Mirëpo, sikur të mos mjaftonte kjo shtëllungat e mëdha të pluhurit dhe tymit që dalin nga procesi i përpunimit të inerteve mbulojnë të gjithë zonën me fshatra të banuar e biznese në hyre të tunelit.
Ndotja është alarmante në zonën shumë të populluar të jugut dhe një atraksion i frekuentuar nga turistët, por kjo nuk i intereson firmës private, e cila shikon vetëm përfitimet e veta. "Gjoka Konstruksion" i kanë dhënë "gaz" për të përfunduar në kohë tunelin dhe siç duket, nuk pyet për ndotjen mjedisore që po shkakton.
Pamjet janë kapur këtë të premte, datë 7 Qershor dhe shtëllungat e tymit duken në të gjithë zonën përreth. Ekspertët mjedisorë e kanë ngritur shpesh herë si shqetësim gllabërimin e pronës publike dhe shkatërrimin e Parkut Kombëtar të Llogarasë nga "Gjoka", por askush nuk ka reaguar.
Autoritete lokale dhe ato qendrore janë dorëzuar përballë pushtetit të kompanisë "Gjoka Konstruksion" duke i lënë dorë të lirë në shkatërrimin e plotë të habitatit dhe zonës së mbrojtur.