
Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me një ngjarje të raportuar mesditën e kësaj të marte ku u tha se në zonën e njohur të kryeqytetit, në Ali Dem, në ambientet e një zyre elektorale pati një konflikt mes disa personave.
Përmes një njoftimi zyrtar blutë sqarojnë se pas telefonatës urgjente u nisën menjëherë në vendin e ngjarjes ku dhe konstatuan se zyra elektorale e PSD-së ishte dëmtuar me sende të forta, pas një konflikti që kishte ndodhur brenda ambienteve të këtij subjekti politik.
Sipas policisë, por dhe burimeve të mediave mësohet se xhamat e këtij subjekti ishin thyer, ndërkohë që në vendin e ngjarjes u gjetën edhe dy fishekë luftarak të paplasur.
“Rreth orës 14:00, në sallën operative të DVP Tiranë ka ardhur një telefonatë se në rrugën “Ali Demi” kishte një konflikt midis disa shtetasish, në ambientet e një zyre elektorale.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, është konstatuar i dëmtuar dyshohet me sende të forta xhami i zyrës së subjektit elektoral. Po nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë konstatuar dy fishekë luftarak të paplasur. Menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shkuar forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në konflikt, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Siç dhe u bë me dije më herët persona ende të paidentifikuar u konfliktuan brenda zyrave të Partisë SocialDemokrate në zonën e “Ali Demit”. Policia menjëherë mbërriti në vendin e ngjarje, ku dhe vendosi një perimetër sigurie si dhe po vijon hetimet për të siguruar të gjitha provat për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje e cila vjen vetëm disa ditë larg nga zgjedhjet e 11 Majit.
Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po punon për zbardhjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje.