
Kanë përfunduar punimet për qendrën pritëse të emigrantëve që do të vijnë nga Italia në portin e Shëngjinit. Siç shihet dhe në pamjet e siguruara me dron nga Report Tv, objekti është gati për të pritur emigrantët.
Punimet janë mbyllur vetëm një ditë para vizitës së kryeministres së Italisë në Shqipëri, Giorgia Meloni. Pritet që ditën e nesërme dy homologët, Edi Rama dhe Meloni të zhvillojnë një konferencë për shtyp pikërisht në ambientet e qendrës pritëse të emigrantëve në Shëngjin.

Njëjtë si dhe bëmë me dije më herët kryeministrja italiane e shoqëruar nga Rama do të inspektojnë nga afër punimet në kampin për emigrantët në zonën e Gjadrit. Më pas në orën 12:00 ata do të zhvillojnë një konferencë për shtyp.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama dhe Giorgia Meloni më 6 nëntor 2023 nënshkruan një marrëveshje, ku Shqipëria do jetë vend pritës për emigrantët që shpëtohen në det, jo për ata që mbërrijnë në territorin italian.

Dy qendrat në Shqipëri do të kenë një kapacitet për 3 mijë persona në muaj. Një nga qendrat pritet të ndërtohet në Shëngjin, ku Italia do të kujdeset për financat dhe procedurat e zbarkimit dhe identifikimit, ndërsa qendra tjetër do të ndërtohet në Gjadër.
Gjithashtu, Meloni deklaroi se në Portin e Shëngjinit do të ngrihet qendra për pritjen e refugjatëve që do të jetë nën juridiksionin e Italisë, dhe një tjetër strukturë do të ngrihet në Gjadër për akomodimin e tyre, deri sa të shqyrtohen kërkesat për azil, ndërsa Shqipëria do të kontribuojë vetëm me sigurinë.