Prokuroria e Posaçme kërkon 6 vite e 6 muaj burg për avokatin Alban Bengasi, aktualisht i arrestuar dhe i akuzuar se ka paguar Nuredin Dumanin që t'i vriste gruan. Blerta Bengasi u përndoq dhe u dhunua në një nga rrugët e Tiranës, nga anëtarët e grupit të Dumanit.
Alban Bengasi akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje”, në dëm të ish-bashkëshortes së tij Blerta Bengasi (Ruçi), kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Alban Bengasi u arratis nga Shqipëria kur u pendua Nuredin Dumani dhe tregoi krimet që kishte kryer dhe personat që e kishin kontraktuar me para.
Siç u mësua, Alban Bengasi i kishte ofruar 120.000 euro Nuredin Dumanit për t’i vrarë gruan. Kjo, pasi ky shtetas e kishte kapur të shoqen duke e tradhtuar dhe u përfshin më pas në një proces të gjatë gjyqësor për kujdestarinë e fëmijëve.
Dëshmia e të penduarit të drejtësisë përputhet dhe me dhunimin e Blerta Bengasit. Ish-gruaja e avokatit ka denoncuar në Polici se në ditët e para të janarit 2020 është dhunuar me grushta nga një person në “Rrugën e Elbasanit”.
Edhe në dëshminë e tij, Nuredin Dumani thotë se në fillim të vitit 2020 avokati Alban Bengasi, ish-burri i Blerta Bengasit, i ka paguar që ta rrihnin. Siç shihet dhe nga pamjet gruaja ka përfunduar në spital sepse është rrahur nga persona të paidentifikuar.
“Në fund të vitit 2019 ose fillim të vitit 2020 mesa mbaj mend, më kërkon Festim Qoli por se mbaj mend me telefon ose me ndonjë person, takimin e kemi bërë tek shtëpia e Festimit. Kur kam shkuar tek shtëpia më ka kërkuar ndihmë për një mikun e vet. Ishte avokat, ky avokat ka qenë edhe avokati im…
Avokati është qeros, i gjatë i dobët me emrin Alban. E kam takuar dhe vetë mbrapa për këtë punë që më tha Festimi. Kam shkuar në darkë tek Festimi, pasi ndenjëm më kërkoi të rrihnim një femër kundrejt pagesës. Kjo femra jetonte në Tiranë tek Kodra e Diellit”, ka rrëfyer Nuredin Dumani.
Sipas rrëfimit të Nuredin Dumanit, i zbardhur nga dosja e SPAK, Blerta Bengasi është dhunuar nga Eljo Bitri dhe një person tjetër. Vetë Nuredin Dumani e ka ndjekur për disa ditë në zonën e Kodrës së Diellit dhe në “Rrugën e Elbasanit” dhe informacionet e detajuara jua ka dërguar shokëve të tij.
“Eljo mbasi mbaroi punën më ka shkruar mesazh dhe më pas kemi pirë kafe duke më thënë që e kreva atë punë. Më tregoi që i kishte rënë me grushta fytyrës derisa e kishte parë që kishte qenë duke i dalë gjak nga fytyra. Goditja ka ndodhur brenda në mjeti. Goditja ka ndodhur përballë byrektores”, ka thënë Nuredin Dumani.