Përpara Bashkisë së Tiranës po zhvillohet protesta e radhës e organizuar nga opozita dhe nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ndërsa kanë ndryshuar formë të revoltës duke goditur institucionin me sapun dhe jo me flakadanë.
Në pamje shikohet sesi protestuesit kanë marrë disa kuti të mbushura me sapun teksa i shpërndajnë tek njëri-tjetri për t’i hedhur në drejtim të godinës së Bashkisë. Ndërkohë, si në çdo protestë tjetër edhe kësaj here i pranishëm ka qenë aktori Mehdi Malkaj i cili iu ka kërkuar burrave të pranishëm në këtë tubim që “t’i drejtojnë qeverisë gishtin e mesit”.
Kjo protestë si çdo tubim tjetër i njoftuar nga opozita, ka nisur në orën 11:00 përpara Bashkisë së Tiranës. Prej disa kohësh, opozita dhe përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit protestojnë lidhur me arrestimet e bëra në Bashkinë e Tiranës sa i përket dosjes “5D”.
Pothuajse në të gjitha protestat ka pasur përplasje midis policisë dhe protestuesve, të cilët shpesh kanë përdorur flakadanë dhe molotov në drejtim të Bashkisë.