
Forcat e Sigurisë Kombëtare si dhe efektivë të shumtë kanë “blinduar” godinën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku opozita do të mbajë protestë.
Siç shihet nga foto e mëposhtme godina e SPAK është rrethuar nga efektivët e Policisë së Shtetit, ndërsa pritet që në orën 12.00 të nisë edhe protesta e opozitës.
Kjo protestë mbahet sot pasi ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, do të njihen me akuzat në lidhje me çështjen e kompleksit Partizani.
Protesta do të organizohet kryesisht nga degët e PD-së në Tiranë dhe rrethina, por nuk do të ketë përmasat e mëdha të një tubimi kombëtar si ai i mbajtur në korrik. Mësohet se tubimi do të zgjasë gjatë gjithë kohës që Berisha dhe Malltezi do të jenë para prokurorëve të SPAK.
Në skenarin aktual të protestës, nuk pritet të ketë akte dhune, por organizatorët synojnë të tregojnë mbështetje ndaj liderit të tyre demokrat Sali Berisha. Pas marrjes së akuzave, Berisha mund të kërkojë një masë më të lehtë se arresti shtëpiak, por për këtë do të duhet të presë vendimin e Gjykatës, që do të vendosë nëse ai do të qëndrojë në këtë masë apo do t'i jepet një masë më e butë.
Ata aktualisht ndodhen në arrest shtëpie, pasi akuzohen si të përfshirë në aferën e dosjes “Partizani”. Malltezi akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendor” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Në njoftimin e SPAK thuhet se Malltezi ka përfituar 5.4 milionë euro apo rreth 7 miliardë lekë, me favorizimin e Berishës si kryeministër sa i takon kompleksit Partizani.
Ndërsa sipas SPAK, nga Berisha është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Jamarbër Malltezi. Nga ana e Berishës, në cilësinë e tij si Kryeministër, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtëpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi.