Hapësire reklamuese

Aktualitet

Opozita akuzon "regjimin" për shkarkimin e gjyqtarit, por Agron Zhukri nuk justifikoi dot 1 miliardë lekë pasuri

Shkruar nga Newsbomb
Opozita akuzon "regjimin" për shkarkimin e gjyqtarit, por Agron
Gjyqtari Agron Zhukri pas seancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Gjyqtari i Tiranës Agron Zhukri u shkarkua të premten nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas rivlerësimit vetëm në kriterin e pasurisë. Zhukri nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit dhe u përfaqësua nga i biri, njëkohësisht avokat në këtë çështje.

Trupa e përbërë nga Olsi Komici, kryesues, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Xhensila Pinen, fillimisht njoftoi se kishte rrëzuar kërkesën e Zhukrit për të riçelur hetimin në dy kriteret e tjera të rivlerësimit. Kërkesa u paraqit gjatë seancës dëgjimore, kur u bë me dije se Zhukri ishte hetuar vetëm për pasurinë dhe ishte gjetur me një bilanc negativ të konsiderueshëm.

Agron Zhukri e kundërshtoi këtë gjetje dhe kërkoi çelje të hetimit për profesionalizmin dhe figurën. KPK njoftoi në seancë se kjo kërkesë ishte rrëzuar, pasi gjyqtari nuk kishte përmbysur barrën e provës sa i përket bilanceve negative për justifikimin e pasurisë. Pas kësaj KPK njoftoi vendimin e shkarkimit.

Agron Zhukri e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Emri i Zhukrit u lakua në pranverën e vitit 2022 për shkak të shqyrtimit të konfliktit të brendshëm të Partisë Demokratike për logon e partisë dhe vulën. Ai i dha të drejtë grupit të Rithemelimit që kryesohet nga Sali Berisha, ndërsa vendimi u rrëzua më pas nga Gjykata e Apelit, duke u rikthyer çështjen për shqyrtim në shkallë të parë.

Mirëpo, edhe përse u gjetën bilance financiare në vlerë negative shumë të mëdha, opozitarët akuzojnë atë që e quajnë "regjim të Edi Ramës" ndaj drejtësisë, si një sinjal se kush i jep të drejtë Sali Berishës do të ketë fatin e Agron Zhukrit.

Agron Zhukri edhe vetë është ballafaquar të mërkurën më 17 prill në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me gjetjet për balanca negative në vlera të mëdha në një seancë dëgjimore që zgjati rreth 5 orë e gjysmë, siç raportoi BIRN. 

Komisioni konstaton pamundësi financiare të familjes së gjyqtarit të Tiranës, Agron Zhukri për krijimin e pasurive në masën e 93 milionë lekëve të reja; por subjekti pretendoi se e kishte përmbysur barrën e provës dhe kërkoi hapje të hetimit për dy kriteret e tjera.

Pra, edhe kur një gjyqtar i Shkallës së Parë nuk arrin të justifikojë të ardhura kaq të mëdha, rreth 1 miliardë lekë të vjetra, përsëri opozitarët pretendojnë se Agron Zhukri është shkarkuar sepse i dha Sali Berishës vulën e Partisë Demokratike. Në fakt, edhe kjo nuk qëndron sepse vendimi i Zhukrit është prishur në Apel dhe në Gjykatën e Lartë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese