Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Operacioni "Transnacional", drejtori i ri i Policisë: Goditëm rrjetin e trafikantëve nga Ukraina dhe Bjellorusia, shisnin drogë në Vlorë dhe Europë

Shkruar nga Newsbomb
Operacioni "Transnacional", drejtori i ri i Policisë:
Kryepolici i ri i Vlorës, Elidon Çela

Kryepolici i ri i Vlorës, Elidon Çela ka bërë publik rezultatet e një operacioni policor të koduar "Transnacional", për goditjen e një grupi që merrej me trafikimin e shtetasve të rritur nga shteti i Ukrainës dhe më pas përdoreshin për veprimtari të kundraligjshme, si shitja e drogës.

Gjatë këtij operacioni u goditën dy raste të trafikimit të personave të rritur nga shteti i Ukrainës. Pjesëtarët e këtij rrjeti trafikimi rekrutonin në vende të ndryshme të Europës, kryesisht shtetas nga Ukraina, duke i sjellë në Shqipëri, ku më pas u mbanin dokumentet e udhëtimit dhe i shfrytëzonin për të kryer veprimtari të kundërligjshme.

Personat e trafikuar detyroheshin përmes kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike, për t’u angazhuar në marketingun e rekrutimit të individëve të tjerë në vendet e Europës, duke përdorur platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, me qëllimin për t’i shfrytëzuar më pas për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, që kryheshin gjithashtu në vendet europiane.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur”, kryer në bashkëpunim dhe “Kanosja”, 4 shtetas të huaj konkretisht:

 - M. P., 27 vjeç, lindur dhe banues në Harkov, Ukrainë;

- N. K., 23 vjeç, lindur dhe banues në Kiev, Ukrainë;

- O. T., 24 vjeç, lindur dhe banues në Minsk, Bjellorusi;

- M. S., 22 vjeçe, lindur dhe banuese në Kiev, Ukrainë.

- Si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. M., 35 vjeç, banues në Poloni.

Gjithashtu, janë shoqëruar dhe 19 shtetas ukrainas, të moshës nga 18 deri në 26 vjeç, të cilët kanë qenë viktima të kësaj veprimtarie kriminale dhe janë kryer veprime procedurale me qëllim dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë operacionit u sekuestruan 18 laptopë, 23 pasaporta udhëtimi, 4 karta ID dhe 23 aparate celularë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë.

 Policia e Shtetit, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.

Operacioni u realizua nga strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Vlorë, të mbështetura nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe strukturat e tjera të Departamentit të Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, si rezultat i një pune hetimore dhe policore të mirëorganizuar.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese