Klajdi Serjani dhe Euxhenjo Manushi janë dy të rinjtë e arrestuar nga efektivët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Tiranës, pasi nga kontrolli në makinën me të cilën ata udhëtonin janë sekuestruar 1 kilogram e 50 gramë kokainë.
Këta dy shtetas janë kapur në afërsi të vendit të njohur si "Kthesa e Kamzës", pranë Terminalit të Autobusëve Ndërqytetas me një "bukë" kokaine me vlerë tregu 270.000 euro.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë vënë pas të rinjve prej 6 muajsh, duke i ndjekur në aktivitetin e tyre të shpërndarjes së narkotikëve.
Teksa Klajdi Serjani dhe Euxhenjo Manushi kanë dalë nga makina në rrugën "Kastriotët", njëri prej tyre mbante në dorë me çantë lëndën narkotike dhe menjëherë kanë ndërhyrë efektivët e Policisë. Nga kontrolli fizik i Klajdi Serjanit, është gjetur 1 kg e 50 gramë kokainë.
"Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit Klajdi Serjani, 24 vjeç, dhe Euxhenjo Manushi, 20 vjeç, të dy banues në Tiranë. Lënda narkotike, së bashku me një shumë parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale", njofton Policia.
Klajdi Serjani rezulton se është nipi i shtetasit Pajtim Serjani, i njohur si mik i Emiljano Shullazit dhe i dënuar për gjobëvënie. Pajtim Serjani, gjithashtu, disa vite më parë i ka shpëtuar një atentati me armë zjarri në zonën e njohur si "Rruga e Kavajës" në Tiranë.
Njoftimi zyrtar i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë:
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca policore, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Fam Fanz".
Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit K. S., 24 vjeç, dhe E. M., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën "Kastriotët", automjetin me drejtues shtetasin K. S., dhe pasagjer shtetasin E. M. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit K. S., shërbimet e Policisë i gjetën 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Lënda narkotike, së bashku me një shumë parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.