Dhe pse kanë kaluar 24 orë nga megaoperacioni i SPAK. Vijojnë të dalin në dritë emrat e personave që janë arrestuar apo shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. Emrat e personave që janë shpallur në kërkim apo janë arrestuar janë të përfshirë në botën e krimit dhe emrat kanë dalë pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin Sky ECC.
Burime për media bëjnë me dije se mes të arrestuarve është edhe Naim Stafuka. Naim Stafuka është vëllai i Enver Stafukës, i cili u rrëmbye në 2015 në Fushë-Krujë dhe që atëherë nuk dihet fati i tij.
Nuk dihet ende se për çfarë akuzohet Naim Stafuka, teksa kujtojmë se atij në janar të 2022 iu vendos tritoli në banesën e tij në Fushë Krujë.
Atë kohë Naimi për media tha se është kërcënuar disa herë pasi nuk kishte reshtur së kërkuari vëllain e tij.
“Kam qenë duke ecur me makinë, më kanë ndaluar me maskë, më kanë thënë: “Po fole më, do të të çojmë tek vëllai yt”,” tha Naim Stafuka kohë më parë.
Enver Stafuka dyshohet se ishte filmuar në një video-kasetë teksa pohonte vrasje të bujshme të kryera me pagesë nga grupe kriminale në atë zonë, çka mendohet se ka sjellë edhe hakmarrjen ndaj tij. Enveri ishte në një kafe kur 4 persona të maskuar e morën dhe e futën në makinë.
Në 2013-n Enver Stafuka ishte arrestuar pasi u dyshua si personi që kishte vjedhur automjetin me të cilin u krye atentati ndaj Kryekomisarit Dritan Lamaj. Megjithatë ai u la më pas i lirë. Prej vitesh fati i tij mbetet mister, ndërsa familjarët kanë akuzuar Durim Bamin si të përfshirë në zhdukjen e Enver Stafukës.