Policia e Elbasanit pas një hetimi disa javor ka arritur të vërë në pranga anëtarin e një prej grupeve kriminale të cilët operonin në këtë zonë.
Efektivët bëjnë me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Katërkëndëshi” u bë i mundur arrestimi i 43-vjeçarit me ininciale Imer Manahasa, banues në Peqin. Ky shtetas rezulton të jetë anëtarë i një grupi kriminal dhe është i dyshuar për vepra të rënda penale.
Manahasa kishte ndërtuar një objekt pa leje ku dhe kishte fshehur arsenal armësh. Gjatë kontrolleve “Operacionalja” dhe “Shqiponjat” gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 armë sportive, municion luftarak, 1 predhë, 1 thikë, një sasi lënde narkotike kokainë dhe 2 traga automjeti false.
Në përfundim të këtij operacioni u bë i mundur arrestimi i 43-vjeçarit i cili akuzohet për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive", "Punësimi i paligjshëm", "Ndërtimi i paligjshëm" dhe "Falsifikimi i vulave, i stampave ose formulareve".
Gjithashtu, për këtë rast, u shoqëruan në ambientet e Policisë, disa shtetas të tjerë.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Elbasan, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar "Sundimi i ligjit", për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe të çdo forme tjetër të shfaqes së tyre, ka organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe Forcën e Posaçme "Shqiponja", operacionin policor të koduar "Katërkëndshi".
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një 43-vjeçar që posedonte pa leje, në ambientet e biznesit në pronësi të tij, armë zjarri, armë gjahu, municion luftarak, si edhe lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në disa ambiente (pikë inertesh, varrezë makinash, stallë bagëtish) ku si rezultat kanë gjetur të fshehura: 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjuetie, 1 armë sportive, municion luftarak, 1 predhë, 1 thikë, një sasi lënde narkotike kokainë dhe 2 traga automjeti false, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Më tej, shërbimet e Policisë zbuluan se poseduesi i armëve dhe i sendeve të kundërligjshme, kishte ndërtuar një objekt, pa leje.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë shtetasit I. M., 43 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive", "Punësimi i paligjshëm", "Ndërtimi i paligjshëm" dhe "Falsifikimi i vulave, i stampave ose formulareve".
Gjithashtu, për këtë rast, u shoqëruan në ambientet e Policisë, disa shtetas të tjerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.