Një sasi prej 1 kilogram kokainë është sekuestruar nga Policia në Tiranë, pas një operacioni në afërsi të vendit të njohur si "Kthesa e Kamzës". Mësohet se në pranga kanë rënë shtetasit Euxhenjo Manushi dhe Klajdi Serjani, ndërkohë që vijon operacioni për kapjen e personave të tjerë.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Fam Fanz".
Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit Klajdi Serjani, 24 vjeç, dhe Euxhenjo Manushi, 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën "Kastriotët" automjetin me drejtues shtetasin Klajdi Serjani dhe pasagjer shtetasin Euxhenjo Manushi. Këta dy shtetas i janë nënshtruar kontrollit dhe efektivët i kanë gjetur Klajdi Serjanit 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Lënda narkotike, së bashku me një shumë parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.