Hapësire reklamuese

Aktualitet

“Noli Film Festival” mbylli perden e edicionit të parë në Boston, çmimet për 13 fituesit

Shkruar nga Newsbomb
“Noli Film Festival” mbylli perden e edicionit të parë
Noli Film Festival në Boston

Nga Flamur VEZAJ

Noli Film Festival mbylli perden e edicionit të parë në Boston, në një mbrëmje gala të mirëorganizuar për ndarjen e 13 çmimeve fituese në ambientet e restorantit "Alba" në Hanover!

Mbrëmja filloi me ritmet e muzikës së një talenteje të re shqiptaro-amerikane, Edlina Laho, dhe grupit muzikor "Dea Band" që kishin ardhur nga Nju Jorku, të cilët u prezantuan nga ideatori i këtij festivali, Erand Sojli.

“Noli Film Festival” mbylli perden e edicionit të parë
 

Aktori Sojli tha se ky event ishte një nga ëndrrat e tij për ta organizuar këtu në Boston, në vendin ku Fan Noli, përveç aktiviteteve patriotike, kishtare dhe letrare, studioi dhe ushqeu shpirtin me art! "Edicioni i parë i Noli Film Festival është nisja e një rrugëtimi të gjatë në Boston për të promovuar kineastët e rinj shqiptarë dhe prezantimin e shqiptarëve ndryshe nga çfarë jemi mësuar ndër vite! Uroj që ky rrugëtim të vazhdojë me më shumë filma, mbështetje dhe organizim edhe më të bukur se ky që tashmë përfundoi," tha Sojli. Ky i fundit falënderoi ata që e mbështetën këtë event si "Bibliotekën e Fan Nolit dhe qendrën kulturore" pranë saj, "Katedralen e Shën Gjergjit", "Albanian Fighting Cancer" si dhe producentët e koordinatorët Elissabeta e Nikolin Gaçe!

Gjithashtu, Sojli përshëndeti dhe falënderoi të gjithë producentët e filmave dhe dokumentarëve që morën pjesë në edicionin e parë të Noli Film Festival, si dhe regjisorët dhe aktorët që ishin prezent!

Më pas, ideatori Sojli ftoi në skenë kryetarin e jurisë, aktorin Astrit Çermja, të cilin ai e konsideron si idhullin e tij personal nga aktorët shqiptarë!

Aktori veteran Çermja, ndër të tjera tha se nuk ishte e lehtë përzgjedhja e fituesve. "Ne nuk zgjodhëm më të mirin nga të këqijtë, por më të mirin nga të mirët. Pasi filmat konkurrues ishin të një niveli të lartë dhe kjo tregon një shenjë të mirë për të vazhduar me cilësi këtë projekt edhe vitet e tjera," tha aktori Çermja duke theksuar se jurisë iu deshën më shumë se 7 orë debate për të vlerësuar filmat.

Ndërkohë, fitues i çmimit të madh të filmit më të mirë të edicionit të parë të Noli Film Festival u shpall regjisori Bujar Alimani me filmin "Virgjireshat Shqiptare" (The Albanian Virgin)! Çmim ky që iu nda z. Alimani nga një prej organizatorëve të këtij eventi të rëndësishëm, ish-gjyqtari shqiptaro-amerikan Robert Tochka që përfaqësonte bibliotekën e Fan Nolit dhe qendrën kulturore pranë saj! Regjisori Alimani falënderoi jurinë për vlerësimin dhe theksoi se në edicionin e dytë duhet t'i jepet më shumë hapësirë kineastëve të rinj që të vazhdojnë këtë traditë këtu në Boston! Regjisori Alimani mori gjithashtu një vlerësim për filmin më të mirë edhe nga organizata shqiptare këtu në Boston, "Albanian’s Fighting Cancer", që iu dha nga Roberta Nashi/Panariti.

Po ashtu nga filmi i Alimanit, u shpall fituese edhe aktorja më e mirë, çmim të cilin e rrëmbeu Rina Krasniqi, po nga filmi "Virgjireshat Shqiptare". Këtë çmim ia dhuroi kryetari i VATRES në Boston, z. Mentor Maksutaj, ku në emër të aktores e pranoi vlerësimin kineastja znj. Tefta Bejko Alimani. Gruaja e regjisorit Bujar Alimani, e cila ritheksoi shprehjen e Klaudia Hiles ne hapjen e ketij festivali. "Ky festival është një fëmijë i vogël dhe duhet të rritet çdo vit për të vazhduar legatin e Nolit në promovimin e artit pasi është një festival unik"!

“Noli Film Festival” mbylli perden e edicionit të parë
 

Fitues i çmimit "Skenaristi më i mirë" i Noli Film Festival u shpall skenaristi Eduard Grishaj me filmin "Sofia", çmim të cilin e ndau ideatori i këtij festivali, Erand Sojli.

Çmimin e "Dokumentarit më të mirë", të fituar nga Suela Bako dhe Yllka Gjoleka për dokumentarin "Drita" të Gjon Milit, e dha nga peshkopi i katedrales së Shën Gjergjit, hirësia e tij Nikodhim Preston!

Producenti i Noli Film Festival, z. Nikolin Gaçe, në emër të jurisë, i dha çmimin e parë për "Kolonën zanore më të mirë" Valentin Veizit me filmin "I Love Tropoja".

Sa i përket çmimit të aktorit më të mirë të këtij festivali, juria kishte përzgjedhur aktorin Neritan Liçaj, çmim të cilin e dhuroi përfaqësuesi i kompanisë "Pirro Dentist"!

Po në emër të jurisë, për çmimin e filmit më të mirë animuar, e dhuroi përfaqësuesja e "Albanian’s Fighting Cancer", Roberta Nashi, për regjisorin Vlash Droboniku.

Çmimi "Albanian Excellency" i shkoi aktores Marjana Kondi, të cilës ia dhuroi në emër të jurisë së Noli Film Festival, Andis Gjoni. Aktorja Kondi, përveç batutave të rastit, e vlerësoi shumë këtë festival duke thënë se edhe nga emisioni "Ferma VIP" në Shqipëri kishte dalë vetem se I kishte dhene fjalen z. Sojli që do ishte pjese e Edicionit te pare te NFF. Që të vinte në Boston!

Nuk i mungoi skenës së ndarjes së çmimeve edhe aktori i humorit, Arben Dervishi, që kishte udhëtuar nga Miçigani për të qenë mes komunitetit shqiptar të Bostonit për këtë festival!

Nata vazhdoi me ndarjen e çmimeve të tjera, ku po në emër të jurisë, çmimin për "filmin më të mirë të shkurtër" e ndau avokati Pavli Përmeti për Erion Mustafarajn me filmin "The Shot".

Sipas jurisë, çmimin e "Regjisores më të mirë" e ndau për fituesen Blerta Basholli me filmin "Zgjoi" peshkopi i Filomilise dhe i peshkopatës ortodokse shqiptare të Amerikës, hirësia e tij Theofan Koja.

Çmimi për "Yjet e së ardhmes" nga juria i shkoi aktorit të njohur Reshat Arbana, çmimin të cilin e ndau zv/kryetarja e MaasBesa, znj. Jorida Qirollari. Për çmimin e filmit inkurajues të këtij festivali, juria vendosi të nderojë regjisorin Erald Kraja, çmim të cilin ia dhuroi në emër të jurisë, Jona Brari!

Dhe çmimi i fundit për aktorin mbështetës më të mirë të festivalit, në emër të jurisë, e ndau Arjan Simaku për aktoren Jonida Vokshi.

Pak para mbylljes së natës finale të ndarjes së çmimeve, producentët dhe koordinatorët e “Noli Film Festival” Elisabeta dhe Nikolin Gaçe falënderuan të gjithë donatorët që mundësuan këtë event të bukur treditor në Boston!

Në mbyllje, arkitektja Nensi Karanxha, një nga anëtarët e jurisë së këtij festivali, i dhuroi Bibliotekës së Nolit dhe qendrës kulturore pranë saj një portret të Fan S. Nolit në shenjë vlerësimi për gjithë këtë kontribut të dhënë për shqiptarët jo vetëm në Boston! Këtë portret e pranoi në emër të bibliotekës ish-gjyqtari i Masaçusetsit, shqiptaro-amerikani Robert Tochka, i cili përveç falënderimeve, ndër të tjera tha se sot është një ditë e veçantë pasi ky event përkon pikërisht në datën kur Noli shkroi poezinë "Jepni për Nënën", duke mbyllur fjalën e tij me vargjet "Mbahu Nënë, mos ke frikë, se ke djemtë në Amerikë"!

Vargje me të cilat ideatori dhe moderatori i kësaj nate, Erand Sojli, mbylli eventin e suksessh të ndarjes së çmimeve të “Noli Film Festival” edicion i parë në Boston!

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese