
Vetëm dy orë kanë mjaftuar ditën e djeshme që Shqipëria të përballet me dy ngjarje të rënda kriminale. Brenda një harku kohor të frikshëm dy atentate u regjistruan në vendin tonë ku si pasojë humbi jetën një person, ndërkohë që mbetën të plagosur 4 të tjerë, mes tyre dy fëmijë dhe një adoleshent.
Ngjarja e parë u regjistrua në fshatin Pllanë të Lezhës, ku rreth orës 20:00 u qëllua me breshëri plumbash drejt 64-vjeçarit Gjovalin Prendi. Ky i fundit i cili rezultoi të ishte babai i Roan Brahimit, armikut të përbetuar të “bosit” të lojërave të fatit, Ervis Martinajt, u ezkekutua brenda lokalit të tij. Bëhet me dije se autorët të cilët dyshohet se ishin katër vrasës me pagesë po udhëtonin me një mjet tip “Porche".
Si pasojë e plagëve të marra 64-vjeçari ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që autorët vijojnë të jenë ende të paidentifikuar.

Pista kryesore ku grupi hetuesve kanë shtrirë hetimet është ajo e hakmarrje, pasi djali i viktimës, Roan Brahimi ose ndryshe Sidorel Prendi dyshohet të ketë qenë i përfshirë në ngjarje kriminale.

Roan Brahimi u ekzekutua me armë zjarri në një atentat mafioz mbrëmjen e 9 majit të vitit të kaluar mu në zemër të Athinës. E gjithë kjo ngjarje e rëndë ndodhi para syve të djalit të vetëm të Brahimit. I vogli ishte duke luajtur në rrugë bashkë me fëmijët e tjerë, duke pritur babain dhe nënën të shkonin ta merrnin, por vetëm pak momente më pas pa teksa atë ia vranë para syve.
Roan Brahimi është një emër i njohur për Policinë Shqiptare dhe dyshohet se është i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale që kanë prekur njerëzit e afërt të biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, i cili edhe vetë rezulton i zhdukur pa gjurmë.

Së pari, ai ka qenë i dyshuar për atentatin e ndodhur në mbikalimin e Milotit ku mbeti i vdekur kushëriri i parë i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij. Policia e Shtetit e kërkoi për ta marrë në pyetje, por ai rezultoi se nuk ndodhej në Shqipëri.
Po ashtu, ky 32 vjeçar është kërkuar të pyetet dhe për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Milot pas kohë pas vrasjes së Brilant Martinaj. Krahu i djathtë i Ervis Martinaj u qëllua me breshëri arme pranë shtëpisë dhe për pasojë mbeti i plagosur rëndë, kurse shoku i tij Klisman Preçi ndërroi jetë.
Ndërkohë, vetëm një orë më vonë se ngjarja e ndodhur fshatin Pllanë të Lezhës, persona të paidentifikuar tronditën kryeqytetin.
Rreth orës 21:50, persona të armatosur qëlluan me breshëri plumbash drejt automjetit me të cilin po qarkullonin katër persona, ku dy prej të cilëve ishin djemtë e pronarit të “Pelikan Security”, Vesel Bardhi Demiraj.

Ngjarja e rëndë u regjistrua pranë Tregut Agro Ushqimor në zonën e Tiranës. Ku persona të paidentifikuar ende nga Policia i zunë pritë automjetit “G Class”, me të cilin po qarkullonin Dior Demiraj, 11 vjeç, Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç, Kian Mullaj 19 vjeç dhe Arenc Stafa, 34 vjeç. Automjeti drejtohej nga ky i fundit i cili rezulton të jetë pjesë e stafit të kompanisë “Pelikan Security” dhe në momentin kur dhe ranë pre e atentatit ishte shoqëruesi i fëmijëve.
Si pasojë e breshërisë së plumbave të katër personat të cilët ndodheshin në automjet mbetën të plagosur, ndërkohë që burime për neësbomb.al bëjnë me dije se Stafa dhe Mullaj ndodhen në gjendje të stabilizuar, ndërkohë që 11-vjeçari po vijon “luftën për jetën”. Ndërsa, djali tjetër i pronarit të “Pelican Securisty”, është transportuar në një spital privat në kryeqytet.