Gledis Nano ka reaguar për ngjarjen e djeshme të ndodhur në fshatin Baltëz të Fierit, ku u vra me uniformën e policisë efektivi i forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ish drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit nxjerr në pah punën e vështirë të uniformave blu.
Ai bën thirrje që drejtuesit të marrin masa në mënyrë që efektivët e këtij institucioni të ndihen të sigurtë. Në facebook-un e vet, Gledis Nano shkruante:
“Tragjedia e fundit në fshatin Baltëz të Fierit shërben si kujtesë e fortë e rreziqeve me të cilat përballen çdo ditë efektivët e rendit. Një punonjës policie i forcave “Shqiponja” humbi jetën, duke lënë pas një familje të pikëlluar, kolegë dhe një komunitet në zi.
Çdo anëtar i këtij komuniteti meriton të ndihet i sigurt dhe çdo oficer meriton të kthehet në shtëpi.
Ngjarje si kjo japin shembull për të rritur ndërgjegjësimin për sfidat me të cilat përballet forca policore dhe rëndësinë e sigurimit të burimeve dhe mbështetjes që u nevojiten për të mbrojtur dhe për t'i shërbyer komunitetit tonë në mënyrë efektive.
Në solidaritet për sakrificat e të gjithë Shqiponjave.
RIP Novruz Cenalia”.
Kujtojmë që autori Azgan Mernica është ende në arrati, ndërsa policia vijon kërkimet për kapjen dhe arrestimin e tij. Në dispozicion janë vënë dhe 30-mijë euro për çdo qytetar që do të japë informacione të vlefshme rreth vendndodhjes së tij.