Zbardhje e ngjarjes së rëndë në Spitallë ka bërë që dy familjet Habibi dhe Shkoza të konfliktohen me njëra-tjetrën. Kësisoj është dashur ndërhyrja e policisë së Durrësit për të qetësuar situatën.
Babai i viktimës ka deklaruar për mediat se autori i ka shkuar edhe në varrim dhe se e kishte ftuar të vinte për drekën e vdekjes, por nuk shkoi.
“E pyeta autorin, ‘ka humb djali’, më pa shtrembër dhe iku, kisha katër ditë që kërkoja çunin, i kam rënë telefonit disa herë ndërkohë që zija i binte po nuk e hapte. Kemi kërkuar me efektivët ditë e natë ndërkohë që e kemi gjetur 11 metra larg shtëpisë. Ai deklaroi se e ka hedhur nga ura, po aty nuk ka më shumë se një metër ujë dhe nuk mund të mbytet. Pinte pak çuni, por nuk ka mundësi t’i jepte fund jetës, sepse distanca nga ura dhe vendi ku u gjet është shumë larg. Ai ka qenë duke pirë me disa persona para ngjarjes, por ata kanë deklaruar se nuk dinë gjë.
Kam frikë se çunat janë të nervozuar nga situata, kërkoj që policia të na qëndrojë afër sepse familjarët e autorit kalojnë para banesës sonë. E kam takuar autorin dhe e kam pyetur, se ata rrinin bashkë prej katër vitesh dhe më ka thënë është trembur, është larguar. Ndërkohë që kërkoja djalin ata bënin sikur nuk dinin asgjë, ndërkohë që ata e dinin. Një nga çunat e lagjes i kishte thënë shokut të babait të viktimës ‘kam katër ditë që nuk ha bukë dhe dua të tregoj të vërtetën se kush e vrau'. E ftova pas varrimit të vinte për drekën e vdekjes, por nuk erdhi”, ka deklaruar babai i viktimës.
Fillimisht ngjarja u raportua si aksidentale, por nga hetimet e policisë rezultoi se Branko Shkoza është vrarë nga shoku i tij 35-vjeçari Majlind Habibi.
Autor i krimit është arrestuar pasi dyshohet se pas një përleshje ka shtyrë nga ura 33-vjeçarin, i cili për pasojë ndërroi jetë. Kanë qenë kamerat e disa bizneseve në zonën ku ndodhi ngjarja që kanë zbardhur krimin në Durrës.
Ishin banorët të parët që konfirmuan se i kishin parë Majlind Habibin dhe Branko Shkozen bashkë atë natë. Hetuesit kanë shkuar në banesën e Majlind Habibit ku e morën ën pyetje. Habibi fillimisht e ka mohuar krimin, duke thënë se nuk e njihte 33-vjeçarin, por pasi e ballafaquan me pamjet filmike nga kamerat, ai ka pranuar të bashkëpunojë duke rrëfyer krimin.
Sipas dëshmisë së tij, viktima i kishte ngacmuar bashkëshorten dhe kjo e fundit i ishte ankuar shpeshherë se 33-vjeçari e ngacmonte sa herë që dilte nga shtëpia e saj.