Durim Bami, i cilësuar si "i forti" i Niklës dhe një ndër eksponentët e krimit në Shqipëri, rezulton se është ndaluar ditë më parë në Dubai me kërkesë të autoriteteve shqiptare drejtuar Interpol, dhe do të mbahet për rreth një muaj në qeli deri në dërgimin e dosjes nga Ministria e Drejtësisë.
Një procedurë standarde për shtetasit që kërkohet ekstradim, por mbetet për t'u parë nëse do të finalizohet sepse Dubai nuk ka marrëveshje ekstradimi.
Durim Bami rezulton se nuk ka qenë fare në Shqipëri, prej shumë kohësh por është larguar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe nga Turqia. Pikërisht, në këtë vendi 45 vjeçari dyshohet se qëndronte, për t'i shpëtuar drejtësisë shqiptare.
Një ditë para operacionit "Revanshi" të organizuar nga SPAK në bashkëpunim me agjenci ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, më 15 Maj 2024, Durim Bami ka udhëtuar me linjë ajrore nga Stambolli në drejtim të Dubait.
Është e paqartë nëse operacioni për goditjen e shtatë grupeve kriminale që mori emrin "Revanshi", për shkak të ashpërsisë së paparë ndonjëherë ndaj krimit, u dekonspirua apo ikja e Durim Bamit nga Stambolli drejt Dubait ishte një rastësi. SPAK dhe Policia kanë mohuar të ketë pasur dekonspirim.
SPAK e akuzon "të fortin" e Niklës veprat penale "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale per te kryer vrasje", “Grupi i strukturuar kriminal", "Kultivimi i bimëve narkotike", dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal".
Itinerari që ai ka ndjekur dihej nga autoritetet dhe menjëherë Policia shqiptare ka vënë në dijeni homologët në Dubai.
Durim Bami është lokalizuar dhe ndaluar nga autoritetet në vendin e konsideruar si "Perla e Gjirit" dhe pritet të qëndrojë rreth një muaj në paraburgim, derisa gjykata të shqyrtojë dosjen që do të dërgohet nga Shqipëria dhe të vendosë, nëse 45 vjeçari do të lejohet të vazhdojë i lirë jetën mes luksit, apo do të ekstradohet përmes procedurës së deportimit.
© Newsbomb.al