Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, drejtori i AMP Durrës, Bujar Delialliasi, drejtori i Policisë Kriminale, Neritan Nallbati dhe Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Rebani Jaupi kanë qenë disa nga zyrtarët e lartë që ditë më parë kallëzuan në polici ish-shefi i Sektorit në Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Kushtim Selimi.
Ky i fundit kishte financuar lajme të rreme kundër drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit. Deri më tani ndaj Kushtim Selimit rëndojnë 4 kallëzime në prokurori, për të cilat organi i akuzës ka nisur hetimet. Ai vijon të jetë në arrati, teksa policia po punon për të finalizuar arrestimin e tij.
39-vjeçari në bashkëpunim me shtetasen Regina Omeri (Zeqiri), 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës dhe gazetarin Ervis Hasanaga, kishin hapur portalin "Shqipneës.info" dhe sulmonin drejtorët e Policisë së Shtetit.
Siç thuhet dhe në dosje, gazetari Ervis Hasanaga paguhej 600 euro në muaj nga shefi Kushtrim Selimi, i cili i dërgonte lajme me informacione të rreme për drejtorët e tij përmes koleges Regina Omeri, raporton newsbomb.al.
Mund të përmenden këtu titujt: “Si u shitën gradat e Policisë nga Muhamet Rrumbullaku dhe Florjan Sulejmani”, “Ç’pritet të dalë nga përgjimet e Prokurorisë”, “Ortakët e Krimit dhe tradhtarët e Amerikanëve - Si kupola e Policisë së Shtetit dekonspiron operacionet e SPAK”, “Drejtori i Policisë Kriminale Neritan Nallbati kapet në përgjime nga DEA”.
Megjithatë, detajet e reja tregojnë për një skandal të përmasave të mëdha, pasi familjarët e personave të përfshirë, konkretisht efektives Regina Omeri dhe shefit Kushtrim Selimi, janë zyrtarë të katapultuar shumë lartë në hierarkinë e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Shtetësja Regina Omeri (Zeqiri) rezulton se është bashkëshortja e shtetasit Fisnik Omeri, kreu i Degës së Shërbimit Informativ të Shtetit në Kavajë, raporton newsbomb.al.
"Ai (Ervis Hasanaga) sqaron gjithashtu se me Reginën është njohur që prej vitit 2013 si dhe njeh dhe bashkëshortin e saj i cili quhet Fisnik Omeri që mesa di ai punon në Shërbimin Informativ dhe mbulon qytetin e Kavajës", thuhet në dosjen hetimore për rastin.
Por nuk përfundon me kaq! Shefi Kushtrim Selimi që financonte portalin për të shkruar lajme të rreme për drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët rezulton se ishin dhe shefat e tij, është vëllai i një drejtuesi të lartë në degën e Shërbimit Informativ të Shtetit në Tiranë.
39-vjeçari me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që është shpallur në kërkim, ka vëlla kreun e Departamentit kundër Narkotikëve në SHISH Tiranë, shtetasin Kreshnik Selimi.