Hapësire reklamuese

Aktualitet

Në mesin e luftës, për herë të parë Shqipëria me seli diplomatike në Ukrainë

Shkruar nga Newsbomb
Në mesin e luftës, për herë të parë Shqipëria
Ernal Filo, ambasadori i ri në Ukrainë

Shqipëria ka hapur për herë të parë një seli diplomatike në Ukrainë, me qëllimin për të qenë më pranë saj në këtë situatë të vështirë lufte.

Ambasador i saj do të jetë Ernal Filo, i cili mori dritën jeshile nga Komisioni për Politikën e Jashtme për të qenë ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Ukrainë.

Sipas zëvendësministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Malo vendimi i qeverisë shqiptare për të hapur përfaqësi diplomatike në Ukrainë, duke u nisur nga gjendja në të cilën ajo ndodhet aktualisht, dëshmon qartazi mbështetjen e pakushtëzuar që Shqipëria i ka kushtuar asaj.

Vendimi i qeverisë shqiptare për të hapur për herë të parë përfaqësinë e Republikës së  Shqipërisë në Kiev, duke gjykuar nga aktualiteti që po përjeton sot Ukraina, është një dëshmi e qartë e rëndësisë dhe mbështetjes që Shqipëria i ka kushtuar kësaj situate, por sigurisht dhe qëllimi dhe vendosmëria për sigurinë dhe paqen rajonale dhe jo vetëm”,- u shpreh zv/ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Artemis Malo.

Ernal Filo është një diplomat me një përvojë shumë të gjatë në Minstrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ai mban aktualisht gradën “Ministër fuqiplotë” dhe shërben në Drejtorinë e Protokollit të Shtetit. Filo shërben për politikën e jashtme që prej vitit 1997.

Në fjalën e tij para Komisionit, Filo tha se hapja e ambasadës shqiptare në Ukrainë tregon se vendi ynë i ka kushtuar rëndësi jo vetëm marrëdhënieve me palët që ndodhen përballë çështjeve kritike për paqen dhe sigurinë, por njëkohësisht nuk ka denjuar që t’ju ofrojë atyre ndihmën e nevojshme për të kaluar këtë situatë.

Propozimi për të hapur për herë të parë përfaqësinë e Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe situata faktike në të cilën ndodhet Ukraina, tregojnë se vendi ynë po i jep rëndësinë e duhur vendeve dhe rajoneve, që sot janë në qendër të fokusit diplomatik ndërkombëtar dhe që përbëjnë një çështje sa kritike, aq edhe sfiduese për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian”, - tha Ernal Filo.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese