Policia ka dhënë njoftim zyrtar në lidhje me arrestimin e të shumëkërkuarit Pjetër Pacani, i cili akuzohet për vrasjen e dy personave.
61-vjeçari, Pjetër Pacani ishte në kërkim nga policia, pasi kishte kryer vrasje të dyfishtë në vitin 2011 dhe ishte në listën e 50 shtetasve më të kërkuar nga Policia e Shtetit. Ky shtetas është dënuar me 25 vjet burgim.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2014, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, sepse më datë 18.01.2011, pranë një karburanti në aksin rrugor “Lezhë-Tiranë”, ka vrarë me armë zjarri 2 shtetas.
Në banesën ku u kap në flagrancë në Fier, policia i gjeti dhe i sekuestroi 61-vjeçarit 4 armë zjarri, municion luftarak dhe antiplumb.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, operacioni policor i koduar “Ëanted”.
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shumëkërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
I shumëkërkuari, pjesë e listës me 50 shtetasit më të kërkuar nga Policia e Shtetit. Ky shtetas është dënuar me 25 vjet burgim, për vrasjen e 2 shtetasve, në vitin 2011.
Në banesën ku u kap në flagrancë, në Fier, Policia gjeti dhe sekustroi 4 armë zjarri, municion luftarak dhe antiplumb.
Si rezultat i informacioneve të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për vendndodhjen e shtetasve në kërkim, dhe i kontrolleve të kryera për kapjen e tyre, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Ëanted”, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Gjatë operacionit, u kap në një banesë në lagjen “1 Maji”, Fier, dhe u vu në pranga shtetasi:
Pjetër Pacani, 61 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Kuqe, Laç.
Në banesën ku u kap ky shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 armë zjarri pistoleta (1 Glock, 1 Zastava dhe 1 TT), 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, granatëhedhës dhe 2 antiplumba.
Ky shtetas është përfshirë në listën me 50 shtetasit më të kërkuar nga Policia e Shtetit, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2014, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, sepse më datë 18.01.2011, pranë një karburanti në aksin rrugor “Lezhë-Tiranë”, ka vrarë me armë zjarri 2 shtetas.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.