
Një shtetas rus është arrestuar të hënën në Rinas nga policia shqiptare, pasi ishte shpallur më herët në kërkim nga Rusia. 57 vjeçari i identifikuar si Aleksander Bobovnikov ishte në kërkim nga autoritetet ruse për veprën penale të mashtrimit.
Mësohet se i arrestuari ishte ndaluar më parë në Firence, por Gjykata italiane ka vendosur që ta lirojë dhe të mos bëjë ekstradimin e tij në Rusi, për shkak se çështja penale e 53 vjeçarit është më shumë politike.
Gjithashtu, bëhet me dije se edhe vendet e tjera evropiane kanë refuzuar që të bëjnë arrestimin e tij. Ndërkohë që ditën e sotme, 57 vjeçari Bobovnikov pritet që të dalë parë Gjykatës së Tiranës, e cila do të vendosë përfundimisht nëse do të bëjë ekstradimin e tij drejt Rusisë ose jo.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Bobovnikov ka thënë se ka ardhur në Shqipëri të hënën me carter së bashku me disa miq të tij gjerman.
Aleksander Bobovnikov është me profesion neurokirurg, si dhe njëkohësisht disponon pashaportë izraelite. Sipas mediave të huaja, ai është vënë në kërkim pasi më herët ka kundërshtuar luftën në Ukrainë nga Rusia si dhe është shprehur kundër pushtetit të Kremlinit.
Për këtë arsye, autoritetet ruse e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa mbetet që të shikohet se cili do të jetë qëndrimi i gjykatës shqiptare duke vulosur në këtë mënyrë përfundimisht fatin e tij.