
Profesoresha e Universitetit të Tiranës, Klodiana Beshku, ka publikuar në rrjete sociale e-mailin e një studenteje shqiptare që studion në Milano dhe një studenteje shqiptare që ndjek studimet në Shqipëri.
Përmes këtij postimi, Beshku bën një krahasim mes arsimit shqiptar dhe atij të huaj duke theksuar se sa ndikon kultura e dy vendeve në mënyrën e të shkruarit, pasi njëra nga studentet i është drejtuar me fjalën "Profesoreshë" dhe tjetra me "zyshë".
Klodiana Beshku thekson se në Shqipëri e kemi shumë të vështirë t'i themim një pedagogeje "profesoreshë" ndërkohë që një asistet pedagog (djalë) e thërrasim profesor.
"Pedagoget gra i thërrasim lehtësisht "zyshe", mësueseve iu themi "zyshe", pra "zojushe", "zonjë" me pak fjalë, si qëmoti, e kurrësesi "profesoreshë". Drejtoreshat, ministret, gjykatëset, doktoreshat, ne i quajmë "drejtor", "ministër", "gjykatës", "doktor" a thua se të paturit e prapashtesës në gjininë femërore, i bën drejtueset më pak profesioniste e profesionistët më shumë "drejtues".
Kjo është konsiderata që shoqëria shqiptare ka për gratë eksperte në profesion dhe këto emërtime tregojnë se si gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi. Sado që të kemi gra profesioniste, profesoresha, doktoresha, drejtuese, përsëri që të konsiderohesh "e aftë" do të duhet të të thërrasin si burrë, ose tërë jetën do të të thërrasin "zysh", në një shoqëri ku ende termi "profesoreshë" intimidon."-shkruan Beshku në rrjete sociale.
Statusi i plotë
Se si të drejtohet një studente shqiptare që studion në Milano dhe si të drejtohet një studente shqiptare që studion në Shqipëri, mund të shihet qartë në screenshot-et e shkëputura nga e-mailet më sipër. Erdhën në të njëjtën ditë, po për mua, po unë, me të njëjtin përkushtim për ti ndihmuar studentët e orientuar për temat e tyre të diplomave e gjithçka tjetër që mund tu lipset, si brenda vendit ashtu dhe jashtë tij. Pra angazhimi im nuk ndryshon, ndryshon vetëm kultura e dy vendeve dhe konsiderata ndaj grave.
Nuk do e kisha bërë publike këtë çështje nëse nuk do të ishte thelbësisht feministe e që derivon prej një vendi me një kulture thelbësisht maskiliste. Në Shqipëri e kemi shumë të vështirë ti themi një pedagogeje "profesoreshë", ndërkohë që një asistent pedagog (djalë) e thërrasim pa teklif "profesor" që kur del për herë të parë në auditor, e aq më tepër pedagogët burra e të konsoliduar në profesion.
Pedagoget gra i thërrasim lehtësisht "zyshe", mësueseve iu themi "zyshe", pra "zojushe", "zonjë" me pak fjalë, si qëmoti, e kurrësesi "profesoreshë". Drejtoreshat, ministret, gjykatëset, doktoreshat, ne i quajmë "drejtor", "ministër", "gjykatës", "doktor" a thua se të paturit e prapashtesës në gjininë femërore, i bën drejtueset më pak profesioniste eprofesionistet më shumë "drejtues".
Kjo është konsiderata që shoqëria shqiptare ka për gratë eksperte në profesion dhe këto emërtime tregojnë se si gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi. Sado që të kemi gra profesioniste, profesoresha, doktoresha, drejtuese, përsëri që të konsiderohesh "e aftë" do të duhet të të thërrasin si burrë, ose tërë jetën do të të thërrasin "zysh", në një shoqëri ku ende termi "profesoreshë" intimidon.