Hapësire reklamuese

Aktualitet

Ndërtoi pa leje hotelin "Yacht Premium", ish-drejtori i ALUIZNI-t del pas 26 ditësh nga burgu

Shkruar nga Newsbomb
Ndërtoi pa leje hotelin "Yacht Premium", ish-drejtori i ALUIZNI-t
Mariel Murati dhe hoteli Yacht Premium ne Sarande

Mariel Murati, ish-drejtori i Agjencisë për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Zonave dhe Ndërtesave Informale (ALUIZNI), ka dalë nga qelia pas 26 ditësh. Ai ishte shpallur në kërkim dhe u vetëdorëzua pas disa kohësh, ndërsa sot Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur t'i japë lirinë.

47 vjeçari është pronari i hotelit luksoz "Yacht Premium" në qytetin e Sarandës dhe e ka ndërtuar atë pa leje. Bëhet fjalë për një objekt me shtatë kate, i cili pasi është ndërtuar pa leje nga shtetasi Mariel Murati, është legalizuar dhe me dokumente të falsifikuara.

Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Falsifikim dokumentesh” me kërkesë të prokurorisë, i akuzuar bashkë me 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të ASHK, Bashkisë dhe IKMT.

Mirëpo, sot 47 vjeçari është liruar nga qelia. Togat e zeza kanë lënë në fuqi masat e sigurisë për nëntë personat e tjerë të akuzuar, konkretisht "Arrest në shtëpi" për zyrtarët Erald Lika dhe Ermen Stroka, “Detyrim paraqitje” për Andri Dhima, Ina Papa, Denis Balili e Manushaqe Saliko, si dhe “Detyrim paraqitje” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Viktor Qesari, Tonin Simoni e Oltion Durmishi.

Ndërtoi pa leje hotelin "Yacht Premium", ish-drejtori i ALUIZNI-t
Hoteli ne Sarande para 2020 dhe Yacht Premium ne 2022

Prokuroria e Sarandës kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, duke kërkuar “Arrest në shtëpi” për të gjithë të akuzuarit që ndodheshin në “Detyrim paraqitje”, përveç Papës e Salikos, por kjo nuk u pranua sot nga Gjykata e Apelit. Nga grupi i ish-zyrtarëve, në kërkim vijon të jetë vetëm ish-Drejtoresha e ASHK Sarandë, Kozeta Statha.

Fakti penal për Mariel Muratin

Mariel Murati në vitin 2020 ka marrë leje për rikonstruksionin e një objekti ekzistues, i cili ishte hotel, por e kishte rrënuar të gjithin duke ndërtuar pa leje nga fillimi një hotel me 7 kate. Me ndihmën e zyrtarëve të Kadastrës, Bashkisë Sarandë dhe IKMT, ish-drejtori arriti të legalizonte hotelin dhe në vitin 2022 ai ka pritur pushuesit e parë.

Bëhet fjalë për "Yacht Premium Hotel" në qytetin e Sarandës, i cili ka qenë dy herë objekt i vendosjes së sasive të eksplozivit, përkatësisht në 9 shkurt 2021 dhe 29 qershor 2022. Këto ngjarje nuk janë zbardhur dhe autorët e vënies së tritolit nuk dihen.

Ndërtoi pa leje hotelin "Yacht Premium", ish-drejtori i ALUIZNI-t
Mariel Murati, ish-ALUIZNIT

Mariel Murati, gjithashtu rezulton i shkarkuar dhe kallëzuar penalisht nga ministrja Etilda Gjonaj. Ai është emëruar në krye të ALUIZNI-it Sarandë në dhjetor 2016, por në korrik 2018, në një konferencë për shtyp, ministrja e Drejtësisë deklaroi depozitimin e një kallëzimi penal ndaj Mariel Muratit dhe tre përgjegjësve të kësaj drejtorie.

Megjithatë, 47 vjeçari vazhdoi normalisht karrierën shtetërore dhe pas ALUIZNI-t u emërua në krye të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në Sarandë. Veprimet e paligjshme që ai kishte kryer, u mësuan vetëm pas largimit të tij nga posti i drejtorit të Legalizimeve.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Lajmet e fundit

Zbulo më shumë artikuj

Hapësire reklamuese