Një ngjarje e rëndë është shënuar në Maternitetin e Spitalit Rajonal Vlorë, ku ka ndërruar jetën një foshnje 5 ditëshe.
Policia njofton se në lidhje me ngjarjen është proceduar penalisht mjekja I. C., 53 vjeçe, me profesion mjeke neonatologe, e dyshuar për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”.
Bëhet me dije se foshnja ka ndërruar jetë dy ditë më parë, ndërsa po vijon puna për dokumentimin dhe zbardhjen e shkakut të vdekjes së bebes.
“Komisariati i Policisë Vlorë referoi materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasen I. C., 53 vjeçe, banuese në Vlorë, me profesion mjeke neonatologe në Maternitetin e Spitalit Rajonal Vlorë, e dyshuar për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, pasi më datë 04.10.2024, në këtë maternitet ka ndërruar jetë një foshnjë 5-ditësh, i lindur nga shtetasja S. H. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të shkakut të vdekjes së foshnjës dhe për përcaktimin e përgjegjësive ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.