
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, lideri demokrat i shprehu ngushëllimet familjes, Kishës Ortodokse Autoqefale dhe të gjithë ortodoksëve të Shqipërisë.
Berisha shpreh vlerësimin më të madh për kontributin e pavdekshëm të Fortlumturisë së tij në ringjalljen nga shkrumbi i diktaturës komuniste të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.
Postimi i Berishës:
Të dashur miq!
Dielli perëndoi përgjithmonë për Fortlumturinë e tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastasios Janullatos.
Sot, me nderim dhe respekt të veçantë, shpreh vlerësimin tim më të madh për kontributin e pavdekshëm të Fortlumturisë së tij në ringjalljen nga shkrumbi i diktaturës komuniste të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.
Unë gjithashtu shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, Kishës Ortodokse Autoqefale dhe mbarë ortodoksëve të Shqipërisë dhe i lutem Zotit, së bashku me ta, që shpirti i ndritur i këtij shërbëtori të pakursyer të Kishës dhe Zotit të gjejë paqen e amshuar.