
Dhoma e Avokatisë Durrës ka vendosur që prej ditës së sotme të bojkotojë të gjitha seancat për çështje civile apo penale me një afat 5 ditor. Pra 120 avokatë do të bojkotojnë të gjitha seancat prej kësaj të hënë deri ditën e premte, për këtë arsye do mbahen vetëm seancat për dhënien e masave të sigurisë, zëvendësimit dhe shuarjes së tyre.
Ky vendim nga ana e Dhomës së Avokatisë Durrës ka ardhur pasi 120 avokatët pretendojnë se nuk kanë ambientet e duhura për të përballuar fluksin e dosjeve dhe çështjeve penale. Që dmth, deri në nisje të seancës gjyqësore dhe thirrjes së sekretares së Gjykatës për tu futur në seancë, avokatët presin në korridoret e Gjykatës pasi nuk kanë një ambient ku të qëndrojnë.
Kjo situatë ka bërë që avokatët të kërkojnë kushte më të mira pune, si dhe thonë se të presin në korridoret e gjykatës është denigruese për figurën e avokatit.
“Qasja e Gjykatës për të lënë avokatët jashtë, në një ambient shumë të vogël dhe të tejmbushur me njerëz, jashtë çdo kushti higjenik, në një sezon si virozash ashtu edhe temperaturash të larta është e papranueshme dhe denigruese për figurën e avokatit. Nuk kemi një vendim të shkruar akoma, që të pasqyrohet arsyeja e lënies jashtë, thjesht është një vendim i administratës dhe është bërë bllokimi tek dera hyrëse e gjykatës. Vendimi na është komunikuar tek për tek” - tha Lorval Petani, Kreu i Dhomës së Avokatisë Durrës.
Bojkoti nga ana e Dhomës së Avokatisë në Durrës nuk erdhi pa një paralajmërim. Më 1 Qershor avokatët i bënë thirrje Gjykatës të marrë në konsideratë kërkesat e tyre, ndryshe do bojkotonin seancat gjyqësore.
Përmes një letre të firmosur nga kreu i Dhomës së Avokatësisë Durrës, Lorval Petani njoftuan se përgjatë datave 3 qershor e deri më 7 qershor avokatët do të bojkotojnë seancat gjyqësore civile dhe penale.
Ndër të tjera në letrën e firmosur nga Petani, thuhej dhe se për të gjithë ata avokatë të cilët rezultojnë se kanë marrë pjesë në seancat gjyqësore gjatë 5 ditëshit të bojkotit dhe nuk kanë respektuar këtë vendim atëhere Komiteti i Disiplinës do të marrë masa ndaj tyre.
“Pas ezaurimit të të gjitha mundësive për zgjidhjen e problemit së lënies së Avokatëve jashtë ambienteve të Gjykatës Shkallës Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Durrës, si dhe mbledhjes së jashtëzakonshme të anëtarëve të Dhomës së Avokatisë Durrës, Kryesisë së Dhomës dhe Komitetit Drejtues, Dhoma e Avokatisë Durrës ka marrë vendimin për:
…Bojkotimin e të gjitha seancave gjyqësore civile dhe penale”.
Përjashtim nga ky bojkotim bëjnë pjese vetëm seancat gjyqësore për masat e sigurimit, zëvendësimin dhe shuarjen e tyre. Ky vendim ka efekt për datat 03.06.2024 – 07.06.2024, periudhë gjate ose pas së cilës dhoma do të dalë me një vendim të ri.
Sqarojmë se të gjithë avokatët të cilët do të rezultojnë se kanë marrë pjesë në seancat gjyqësore për të cilat me këtë vendim është bërë bojkotimi i tyre, Komiteti i Disiplinës do fillojë procedim administrativ ndaj tyre” -letra e firmosur nga kreu i Dhomës së Avokatisë Durrës, Lorval Petani.
Gjykata e ka justifikuar me faktin se në objekt nuk ka ambient të mjaftueshëm për të krijuar një sallë të posaçme për të qëndruar avokatët, ndërsa sot i ka bërë thirrje për një takim për të gjetur një zgjidhje.