
Moti do të jetë i paqëndrueshëm gjatë ditës së sotme. Orët e paradites do të karakterizohen nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash mesatare, ku në zonat veriore dhe veriperëndimore vranësirat do të jenë më të dendura, duke gjeneruar rrebeshe të izoluara shiu.
Pas mesditës dhe deri në mbrëmje, reshjet e shiut do të përfshijnë të gjithë Ultësirën Perëndimore, ndërsa në zonat e thella malore priten reshje dëbore.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie, ku vlera minimale do të arrijë deri në 3°C në zonat malore, ndërsa vlera maksimale pritet të shkojë deri në 20°C në zonat bregdetare.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë, me shpejtësi deri në 45-50 km/h nga drejtimi jugor, duke shkaktuar dallgëzim deri në 4 ballë në brigjet detare.