Këtë të mërkurë pritej të mbahej seanca e radhës për çështjen e Gërdecit, por sërisht u shty. Për këtë familjarët e viktimave kanë depozituar 2 kërkesa në GJKKO dhe SPAK.
Familja Durdaj kërkon nga Gjykata e Posaçme përshpejtim të seancave gjyqësore, duke çliruar nga ngarkesa gjyqtaren e çështjes Irena Gjoka pasi aktualisht për këtë dosje zhvillohet seance çdo 2 javë. Kërkesa tjetër është depozituar ne SPAK, ku po familja Durdaj qe humbi djalin 7-vjeçar në tragjedinë me 26 viktima dhe qindra të plagosur, kërkon që ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu të caktohet masa e sigurisë ndalim i daljes jashtë vendit.
Familjarët argumentojnë se në rast dënimi si shumë zyrtarë të tjerë Mediu mund t’i shmanget drejtësisë dhe nga ana tjetër mund të ndikojë tek dëshmitarët që pyeten jashtë vendit si në SHBA në funksion të këtij gjykimi.
Fatmir Mediu u mor i pandehur për 10 Janar 2023 dhe ndaj tij janë lëshuar dy akuza, ndërkohë që ai vetë i ka konsideruar akuzat politike.
Ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “shpërdorim detyre në kuadrin ushtarak” nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.
SPAK hetoi përgjegjësinë e ish-ministrit në ngjarjen tragjike të marsit të vitit 2008, ndërsa e regjistroi si procedim penal në tetor të vitit 2021. Procedimi penal u regjistrua për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues. Kjo lëvizje e SPAK erdhi, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit, GJKKO, në 24 shtator të 2021-shit riktheu për hetim në SPAK dosjen e “Gërdecit”.
Në vendimin e Apelit të GJKKO-së thuhej se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim. Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depos. Kujtojmë se më 15 mars të vitit 2008 rreth orës 12:05, si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një fabrikë për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona që punonin atje, mes tyre edhe fëmijë. Veç viktimave, shpërthimi shkatërroi mijëra banesa e biznese.