Gjashtë makina luksoze dhe të vitit të fundit pritet t'i shtohen Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të drejtuar prej muajsh nga Belndi Gonxhja. Ato do të kushtojnë plot 250 milionë lekë, nëse do të merren në limit të fondit, pa llogaritur TVSH.
Newsbomb.al raporton se bëhet fjalë për katër fuoristrada, njëra prej të cilave elektrike, një autoveturë dhe një furgon, të cilët kërkohen të dorëzohen brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i kontratës.
Gjashtë makinat, referuar Dokumenteve Standarte të Tenderit, kërkohet të jenë të vitit 2024 përveç furgonit që Ministria e pranon të jetë edhe i 2023.
Mjetet duhet të jenë me zero kilometra dhe me lëndë djegëse naftë, kurse një nga fuoristradat duhet të jetë elekrtike. Për këtë të fundit, bëhet dhe përjashtim për TVSH, sepse makinat elektrike përjashtohen nga pagesa e tatimit.
Çdo prodhues ose distributor shitës kërkohet që të ofrojë garanci për automjetet e reja për një afat të caktuar, i cili sipas Ministrisë së Blendi Gonxhes duhet të jetë një afat minimal.
Për mjetet SUV elektrik, Autoveturë dhe Furgon jo më pak se 4 (katër) vite ose minimumi 100.000 km ndërsa për Fuoristradat dhe SUV jo më pak se 4 (katër) vite ose minimumi 120.000 km, në varësi se cili kusht do të plotësohet i pari e cila mbulon defekte (probleme) që vijnë nga prodhimi pas blerjes.
Gjithashtu, bizneset e interesuara duhet të paraqesin katalog ose skedë teknike nga prodhuesi /ose distributori i autorizuar ku të tregohen dhe të markohen qartë karakteristikat teknike të mjeteve të ofruara, në mënyrë që të krahasohet pajtueshmëria e tyre me specifikimet teknike dhe standardet e kërkuara në DST.
© Newsbomb.al