
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka inspektuar njësinë e shërbimit zjarrfikës në bashkinë Kamëz, për të parë nga afër gjendjen. Para sherbimit zjarrfikës Balla në fjalën e mbajtur tha se rritje rroge në Korrik nuk ka ketë vetëm për policinë, por edhe për zjarrfikëset në vend.
Ministri theksoi se punonjësit zjarrfikës janë në kategoritë parësore që do të përfitojnë rritje page pas datës një korrik të këtij viti.
“Sa i përket trajtimit të duhur financiar, ju garantoj që me 1 korrik, kur do të kemi një rritje pagash të dukshme në shumë sektorë publikë, edhe shërbimi zjarrfikës do të jetë një prej atyre që do të jetë ndër më të vlerësuarit.
Kemi përpara një sezon turistik më shumë rëndësi edhe për ekonominë e vendit, por edhe më të madhin që kemi pasur deri tani. Duhet të mësohemi që vit pa viti do të kemi më shumë turistë. E duke pasur më shumë turistë, e më shumë lëvizshmëri në rrugë mund të kemi edhe më shumë incidente, qofshin ato rrugore apo të shkaktuara nga temperaturat apo zjarrvëniet. Dua ta përsëris edhe sot, – zjarrvënia është një vepër penale e cila dënohet ashpër, mund të shkojë deri në 15 vite heqje lirie. Është detyra e shërbimeve zjarrfikëse kudo në Shqipëri, të mbështetura fuqimisht edhe nga Drejtoria jonë në Ministri (DPMZSH), edhe nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, edhe nga Forcat e Armatosura, edhe nga Policia e Shtetit për të garantuar që ne të jemi aty të parët për të mbrojtur jetën e qytetarëve, pronën e tyre.” - tha Ministri Balla.