Besimtarët ortodoksë festojnë mesnatën e sotme Pashkën, një ditë e shënuar e kalendarit fetar. Në vigjilje të Pashkëve Kryepiskopi Anastar Janullatos në urimin e tij theksin e vendosi te lufta në Ukrainë, Gaza apo edhe në Sudan e Haiti.
“Kryepiskopi flet edhe për më shumë dashuri në vendin tonë, 'të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë”, thekson Fortlumturia e tij në mesazhin e Pashkëve.
Urimet nuk kanë munguar as nga politika, nga presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e kryedemokrati Lulzim Basha si dhe presidenti Bajram Begaj. Meta uroi shqiptarët për sa më shumë begati në familjet e tyre.
“KRISHTI U NGJALL! VËRTET U NGJALL! Gëzuar Pashkën e Madhe të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe mbarë popullit shqiptar! Sa më shumë mbarësi, paqe, begati dhe lumturi në çdo familje! Ngjallja e Krishtit na mëson se sa do i pathyeshëm të duket Djalli, nuk ka forcë që mund t’i ndalë dritën dhe të mirën që të mposhtin errësirën dhe të keqen.
Lutja e fundit e Krishtit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!” na kujton se veprat e këqija duhet luftuar me kryengritjen e dashurisë. Le të kremtojmë triumfin e jetës mbi vdekjen me besim të palëkundur dhe energji të ripërtërira, me ngjallje të vërtetë të shpresës në zemrat tona për një të nesërme më të mirë, që patjetër do të vijë! NGA MOT GËZUAR PASHKËN”, shkruan Meta në postimin e tij në “Facebook”.
Një urim për besimtarët erdhi edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Krishti u ngjall!” “Vërtet u ngjall!” Të dashur besimtarë ortodoksë, nga zemra ju uroj për shumë vjet gëzuar Pashkën, këtë festë të shenjtë që kremton triumfin e jetës mbi vdekjen, të shpresës dhe dritës mbi të keqen dhe errësirën, të së drejtës dhe të vërtetës mbi padrejtësinë, babëzinë dhe injorancën!
Drita e ringjalljes i mbushtë zemrat tuaja dhe vatrat e çdo familje shqiptare plot me shpresë dhe besim se e mira do të triumfojë mbi çdo dhimbje dhe padrejtësi. Nga mot gëzuar", shkruan Basha.
Ndërsa, kreu i shtetit në këtë vigjilje Pashkës përcolli mesazhin për bashkim dhe mbështetje për njëri-tjetrin, duke shpërndarë besim dhe optimizëm.
“Gëzuar Pashkën, ditën e besimit dhe të shpresës për të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë!Kjo festë e shenjtë përbashkon sot kudo te gjithe besimtaret ortodoksë. Pashkët na ftojnë të kemi besim e të jemi shpresëplotë për jetën.Të mbështesim vëllazërinë, miqësinë e shoqërinë në të mirë e në të keq.Pashkët simbolizojnë dritën e jetës, ngadhnjimin e jetës mbi vdekjen.
Qirinjtë që besimtarët ortodoksë marrin nga flaka e kandilit në kishë dhe e çojnë në shtëpitë e tyre sonte kanë marre me vete shpresën, besimin dhe optimizmin për një jetesë të paqtë, të gëzuar e plot shëndet.Ringjallja e këtyre tre elementeve është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë. Pashkë të bekuara e të gëzuar”, uron presidenti Begaj.
Festa e Pashkëve Ortodokse shoqërohet me vezën e kuqe, bukën e ëmbël, flakën e shenjtë dhe mishin e qengjit.
“Krishti u ngjall” është refreni i kësaj dite festive që shprehet njëzëri nga të gjithë besimtarët që çukisin vezët e kuqe.
Vezët janë simbol i jetës, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon sakrificën e Jezu Krishtit, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.
Pjesë tjetër e traditës së Pashkës Ortodokse është buka e pashkës, ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve. Zakonisht në traditën ortodokse vezët ngjyrosen ditën e enjte para Pashkëve dhe konsumohen ditën e diel ose në ditët në vazhdim.
Newsbomb.al ju uron të gjithë besimtarëve Ortodoksë Gëzuar festën e Pashkëve!