Është zbardhur dëshmia e babait të Martin Canit, Engjëll Cani, i cili është pyetur këtë të mërkurë për ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë djali i tij.
Duke folur para hetuesve në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, për llogari të hetimeve që drejtohen nga Prokuroria e Kryeqytetit ka treguar se nuk ka qenë në dijeni të konfliktit që i biri ka pasur 4 ditë para ngjarjes në shkollë dhe se as mësuesja apo instancat e tjera nuk e kanë informuar për mosmarrëveshjet që i biri ka pasur.
Po ashtu ai ka treguar se familja e autorit të dyshuar nuk e ka kontaktuar pas ngjarjes. Sipas tij, bashkëshortja e tij ka marrë një telefonatë nga shkolla për atë çka kishte ndodhur, por pavarësisht tentativave për t’u rilidhur me sfafin e shkollës, askush nuk i ka ngritur telefonin.
Engjëll Cani ka deklaruar se çka ka ndodhur e ka zbuluar pasi mbërriti në spital. Ndërsa sendet personale të Martinit dhe çanta e shkollës ia kanë dhënë dy ditë pas ngjarjes.