Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Megaoperacioni policor në Shkodër dhe Malësi të Madhe, asgjësohen 5 parcela me drogë

Shkruar nga Newsbomb
Megaoperacioni policor në Shkodër dhe Malësi të Madhe,
Pamje nga asgjësimi i kanabisit në Shkodër

Policia ka asgjësuar ditën e sotme 5 parcela kanabisi në Shkodër dhe Malësi të Madhe. Në kuadër të operacionit policor “Territor i pastër”, ku u angazhuan rreth 30 grupe kontrolli me 170 punonjës policie, duke përfshirë këtu edhe 6 dronë të cilësisë së lartë u evidentuan disa parcela të mbjella me lëndë narkotike në këto zona.

Efektivët kanë asgjësuar gjithsej në këto dy vende rreth 10 536 bimë dhe 728 fidanë kanabisi. Bimët narkotike janë gjetur në zonat e Dukagjinit, Shalës dhe Postribës, ndërsa në njësinë administrative Kelmend, Malësi e Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 3528 bimë kanabisi të mbjellura në parcela toke dhe 728 kubikë me fidanë të bëra gati për t'u mbjellë.

Nisur nga njoftimi i policisë, gjatë megaoperacionit për asgjësimin e bimëve narkotike, grupet hetimor në vendngjarje kanë gjetur gjurmë dhe prova materiale që do të çojnë në identifikimin e autorëve, ndërsa po punohet për kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Njoftimi i policisë:

Kontrolle intensive në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim  evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Në këtë fazë të megaoperacionit u përfshinë Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Komisariati i Policisë Shkodër, Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, Komisariati i Policisë Vau i Dejës dhe 2 njësi të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Për kontrollet e territorit u angazhuan 30 grupe kontrolli (gjithsej 170 punonjës policie) dhe 6 dronë të cilësisë të lartë.

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit, në Shkodër dhe në Malësi të Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 10 536 bimë dhe 728 fidanë cannabisi.

Konkretisht, në Dukagjin, Shalë dhe Postribë u gjetën dhe u asgjësuan 6600 bimë narkotike të mbjellura në tokë.

Në njësinë administrative Kelmend, Malësi e Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 3528 bimë cannabisi të mbjellura në tokë dhe 728 kubikë me fidanë narkotikë (ende të pambjellur në tokë).

Në Vaun e Dejës, u gjetën dhe u asgjësuan 408 bimë cannabisi të mbjellura në tokë.

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit për asgjësimin e bimëve narkotike, grupet hetimore, gjatë këqyrjes së vendngjarjeve, kanë gjetur prova materiale dhe gjurmë që do të çojnë në identifikimin e autorëve të kultivimit dhe financuesve të kësaj veprimtarie kriminale.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, vijojnë punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese