Pas operacionit të SPAK e BKH në Vlorë me arrestimin e kryeprokurorit të Vlorës dhe disa zyrtarëve të tjerë, një tjetër operacion i rëndësishëm është duke u zhvilluar nga mbrëmja dhe këtë mëngjes që lidhet drejtpërsëdrejti me zbërthimin e Sky Ecc në Elbasan.
Që nga mbrëmja e djeshme kanë filluar disa kontrolle dhe arrestime duke përfshirë edhe zyrtarë. Janë gati 30 masa sigurie që janë lëshuar nga Gjykata e Posacme. Bëhet me dije se në rrjeten e Spak ka rënë ish-gjyqtarja e gjykatës së Elbasanit, Pajtime Fetahu dhe zv.drejtori i burgut të Bradasheshit, Martin Musaj.
Ky operacion po vijon edhe në Durrës dhe do të zhvillohet edhe në Tiranë.
Në Elbasan janë duke u goditur personazhe të botës së krimit, tek fisi Çapja. Franc Çapja, një nga narkotrafikantët më të fuqishëm shqiptarë, për shumë vite ka udhëhequr operacionet nga Dubai.
Vitin e kaluar, Çapja bëri një gabim "të pafalshëm" që i kushtoi shumë, duke u ulur me avion privat në një pistë aeroporti të një emirati pranë Dubait, ku nuk njihej "imuniteti" për personat e kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare. Ai u arrestua dhe më pas u ekstradua drejt Belgjikës, ku prokurorët belgë po e hetojnë prej shumë vitesh.
Sakaq, janë duke u kryer kontrolle në shumë banesa dhe pritet edhe arrestime zyrtarësh. Të gjitha kanë ardhur nga zbardhja e bisedave në Sky por edhe nga deshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë.