
Ish- ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka ironizuar operacionin e SPAK të zhvilluar dy ditë më parë në disa zona të Shqipërisë, ku u arrestuan të paktën 14 persona, ndërsa janë shpallur në kërkim dhe shumë të tjerë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, Manjani shkruan se duke u nisur nga raportimet në mediat online, ku disa vrasës nuk kanë arritur që të kryejnë deri në fund detyrën e tyre për të cilën janë paguar, duhet të akuzohen për “shpërdorim detyre me mosveprim”.
“Po shoh në raportimet e medias online se si disa vrasës nuk kanë arritur të palosin viktimat për të cilët janë paguar.
Dmth i bie që të akuzohen për "shpërdorim detyre" me mosveprim...”,- shkruan në rrjetin social, Facebook, Ylli Manjani.
SPAK në kuadër të 4 procedimeve penale ka evidentuar kryerjen e veprave penale të rënda nga 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.
Në total janë lëshuar 50 urdhër-arreste, ndërsa janë kryer veprime hetimore në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës, Rrëshenit, Kurbinit, Fushë-Krujës dhe Krujës.
Gjatë këtyre veprimeve hetimore u ushtruan kontrolle në rreth 50 ambiente banimi, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale pasuri me vlerë të përafërt mbi 4,5 milion Euro.