Jani Aliaj ka ndryshuar rrënjësisht pamjen. Është publikuar sot foto e shumëkërkuarit të drejtësisë. Me flokë të mbjellur dhe pa mjekërr, fotografia e tij po bën xhiron e medieve.
Arrestimi i tij u bë i mundur pas një operacioni të përbashkët mes Interpol Tirana, Drejtorisë për Marrëdhëniet me Jashtë në Policinë e Shtetit dhe autoriteteve greke. Ai është arrestuar në Athinë mëngjesin e 31 dhjetorit dhe po përgatitet për ekstradim në Shqipëri.
Jani Aliaj është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Çiços më 1 maj 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Gjatë kontrollit nga policia greke, u zbulua se ai mbante një kartë identiteti false greke me emrin "Aleksan Kreshnik," i lindur në vitin 1976, dhe për këtë arsye u shoqërua në komisariatin e Moskatos për hetime të mëtejshme.
Nga verifikimet rezultoi se Aliaj ishte arratisur nga burgu i Korfuzit më 1 qershor 2015, pasi kishte shkelur një leje të rregullt 11-ditore. Në këtë burg, ai vuante dënimin e përjetshëm për një vrasje, plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje në një ngjarje të ndodhur në Athinë në vitin 2006.
Gjithashtu, ai kërkohej ndërkombëtarisht për dy raste vrasjesh të ndodhura në Shqipëri, një në tetor 2015 dhe një tjetër në maj 2016.