Me 9 vota pro Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur përfundimin e mandatit të kryetarit Alfred Balla.
Bëhet me dije se kundër vendimit për përfundimin e mandatit të Ballës, ka votuar vetëm Nurihan Seiti. Mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë sot është zhvilluar me dabate dhe është ndërprerë pas tensioneve mes anëtarëve, ku po diskutohej për afatin e mandatit të kryetarit Alfred Balla.
Mbledhja e sotme ka vijuar mes debateve të forta, kryesisht mes anëtares Nurihan Seiti dhe Sokol Stojanit. Në diskursin e zonjës Seiti është vënë re një mbrojtje e flakët ndaj kryetarit aktual Alfred Balla, e cila u vu në dukje dhe nga drejtuesi i mbledhjes Tartar Bazaj.
Ajo ka folur me tone të larta dhe vazhdimisht nënkryetari i KLP-së, Tartar Bazaj, njëherësh drejtues i mbledhjes së sotme i ka kërkuar të linte kolegët e tjerë të flisnin.
Ndërkohë, anëtari tjetër zoti Sokol Stojani ka kërkuar që deri në marrjen e një vendimi nga Këshilli i Lartë të Prokurorisë për ndërprerjen ose jo të mandatit, kryetari Alfred Balla të mos ketë të drejtë të marrë asnjë akt administrativ, shkruan neësbomb.al.
Kujtojmë që KPA vendosi pak ditë më parë përjashtimin e tij me 15 vite nga sistemi i drejtësisë, duke rrëzuar një vendim të shkallës së parë, KPK, që e mbylli procesin e tij pa një vendim. Sipas vendimit të KPA, Balla nuk ka të drejtë për t'u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.