
Një person është arrestuar në flagrancë nga policia e Dibrës, pasi tentoi të kalonte kufirin nga Maqedonia e Veriut me naftë.
Sipas njoftimit të policisë, mësohet se shtetasi P.Ç, 54 vjeç iu gjetën 17 bidonë të mbushur me 412 litra benzinë dhe naftë, që ky shtetas po tentonte t’i fuste në vendin tonë, pa i deklaruar.
Sasia e karburantit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin, ndërsa 54-vjeçari është i akuzuar për veprën penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Dibër, në vijim të monitorimit të kufirit dhe kontrollit të imtësishëm, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë bërë të mundur goditjen e një rasti të tentativës për të kontrabanduar në Shqipëri, mallra për të cilat paguhet akcizë.
Shërbimet e Policisë Kufitare Bllatë, në hyrje të RSh-së, kanë ndaluar për kontroll automjetin tip "Benz", me drejtues shtetasin P. Ç., në të cilin u gjetën 17 bidonë të mbushur me 412 litra benzinë dhe naftë, që ky shtetas po tentonte t’i fuste në vendin tonë, pa i deklaruar.
Sasia e karburantit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashku me automjetin, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi P. Ç., 54 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”.