
Kanë kaluar 5 ditë nga nisja e aplikimit të shqiptarëve të cilët jetojnë jashtë vendit në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER), për të votuar në zgjedhjet e 11 Majit.
Sipas KQZ, deri në ora 11.00 të datës 15 janar 2025 kanë paraqitur kërkesën për t’u regjistruar në platformën e votuesve nga jashtë 15.905 votues nga diaspora. Mësohet se aplikimet më të shumta janë nga Gjermania, Italia, Britania, Greqia, shtete ku edhe më së shumti jetojnë shqiptarët.
Barometri në Euroneës Albania ka krahasuar përqindjen e qytetarëve me të drejtë vote në qarqet, me përqindjen e qytetarëve që kanë aplikuar për të marrë pjesë në votim.
Nëse shikojmë shpërndarjen e votuesve sipas qarqeve në përqindje kryeson qarku më i madh në vend Tirana me 23.4% të aplikantëve, i ndjekur nga Fieri 17.4% dhe Korça 10.7%.

Ndërkohë qarqet me përqindjen më të ulët të aplikantëve janë dhe qarqet më të vegjël, Gjirokastra 2.8% dhe Kukësi 1.5%.
Krahasuar me peshën në përqindje që kanë qytetarët me të drejtë vote (brenda dhe jashtë Shqipërisë) për çdo qark me aplikantët për qark deri më datë 15 Janar 2025, duket se ritmi më i lartë i regjistrimeve është në qarkun e Fierit dhe ritmi më i ulët është në qarkun e Elbasanit.
Konkretisht, Fieri ka të regjistruar 17.4% të votuesve nga jashtë ndërkohë që pesha e qytetarëve me të drejtë vote në këtë qark është 11.43%. Lidhur me qarkun e Elbasanit, 6.4% e votuesve nga jashtë janë të regjistruar në këtë qark, ndërkohë që pesha e qytetarëve me të drejtë vote në këtë qark është përafërsisht 10%.