Agjencia e Administrimit te Pasurive te Sekuestruara dhe te Konfiskuara (AAPSK) ka marrë në dorëzim 102 kontejnerët, të cilët u shkarkuan ditën e sotme nga anija e ankoruar në Portin e Durrësit.
I gjithë procesi është realizuar përmes një plani të detajuar masash, edhe në zbatim të urdhërit të Prokurorisë Durrës për zbarkimin dhe ruajtjen e 102 kontenierëve të anijes “Moliva”, në një vend të sigurt, larg zonave të banuara, si edhe duke respektuar në mënyrë rigoroze kushtet e sigurisë fizike, mjedisore dhe shëndetësore.
Të përfshirë në planin e masave janë një sërë institucionesh, ku përveç punonjësve të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në operacion kanë marrë pjesë edhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, Autoriteti Portual Durrës, Kapiteneria e Portit Durrës, Dogana Durrës, Drejtoria e Hetimit Doganor, si edhe Prokuroria e Durrësit.
Pas shkarkimit të kontenierëve nga anija, ato janë transportuar në masa rigoroze sigurie në destinacionin final ku do të mbahen në monitorim dhe administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Çdo veprim është regjistruar dhe dokumentuar përmes procesverbalëve dhe kontenierët janë kontrolluar, skanuar dhe verifikuar, që nga gjendja e tyre e jashtme, deri tek të gjithë elementët e tjerë të sigurisë.
Neësbomb.al raportoi ekskluzivisht muaj më parë, për një sasi prej 800 tonësh mbetje të rrezikshme që kishte dalë në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria dhe ishte nisur drejt Afrikës së jugut. Dy anije të kompanisë së transportit “MAERSK” fikën GPS pasi alarmi u dha në gjithë botën.
Ishin 102 kontejnerë me pluhur toksik që grumbullohet nga filtrat e furrave të çelikut, të cilat janë dërguar në mënyrë të paligjshme drejt Tajlandës dhe alarmi u dha vetëm kur dy anijet kishin nisur rrugën. Pas ditësh kërkime, dy anijet u lokalizuan dhe ngarkesat po kthehen mbrapsht.
Bazuar në sinjalizimin e BAN, autoritet portuale i kanë bllokuar në Singapor kontejnerët e nisur nga Shqipëria dhe ato pritet të rikthen në Durrës në muajt e ardhshëm. Por përpara se të mbërrijnë në Durrës dhe përmbajtja e tyre të verifikohet, ato kanë prodhuar një kakofoni me akuza politike, ndërkohë që Prokuroria e Durrësit dhe Zyra kundër Mashtrimit e Komisionit Europian, OLAF, kanë inicuar hetime.
Prokuroria ka identifikuar kompaninë “Sokolaj” shpk, një kompani import-eksporti mineralesh me qendër në Durrës në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj si eksportuese të kontejnerëve.