Hapësire reklamuese

Aktualitet

Mbajti peng fëmijët dhe terrorizoi lagjen me kallashnikov, Aleks Marku dyshohet me probleme mendore

Shkruar nga Newsbomb
Mbajti peng fëmijët dhe terrorizoi lagjen me kallashnikov, Aleks Marku
Aleks Marku dhe gëzhojat

“Babi po thërriste se po na sulmon armiku.”

Kështu janë shprehur dy fëmijët e mitur të Aleks Markut, i cili qëlloi me kallashnikov ndaj forcave RENEA.

Kjo dëshmi ka nxitur dyshimet se 40 vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe për këtë arsye do t’i nënshtrohet disa kontrolleve.

Ndërkohë sipas fqinjëve Aleks Marku rrinte pjesën më të madhe të kohës i droguar dhe prandaj ushtronte dhunë fizike edhe ndaj fëmijëve të tij.

“Në orën 1 e gjysmë të darkës ndodhi kjo, ka lënë kalamanin jashtë në orën 1 e gjysmë dhe ka gjuajtur me armë dhe plumbi kishte kaluar mes hotelit të Qemalit që është këtu afër. Por, për fat të mirë e kapi  policia. Ai rrinte i droguar, pinte drogë. Kam pak ditë që e kam parë, punë ditësh. I keqtrajtonte fëmijët, i torturonte. Kishte një javë që rrinte këtu, se ishte ndarë dhe nga nusja. Unë me atë nuk kam muhabet, por thjesht i kam parë. Ishte agresiv, gjuajti me kallash në shtëpi. Ata që kishin shtëpitë afër e dëgjuan, ngelën pa gjumë gjithë natën”, tregon njëri nga fqinjët.

40-vjeçari ra në pranga pas ngjarjes dhe akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Në njoftim policia sqaron se bashkëshortja e 40-vjeçarit ka bërë dy herë denoncim për dhunë dhe se për të janë lëshuar urdhër të mbrojtjes, por që 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë.

Gjithashtu, përsa i përket gjendjes penale të shtetasit Aleks Marku rezulton se në Itali, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.

Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, grupi hetimor vijon hetimet dhe veprimet procedurale, për të përcaktuar nëse 40-vjeçari ka qenë në efektin e lëndëve psikotrope, gjatë ngjarjes, si dhe për të dokumentuar me prova të ligjshme, rrethanat e tjera të këtij rasti.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese