
Ministria e Arsimit ka publikuar datat për provimet e Maturës Shtetërore 2025, të cilat do të zhvillohen në qershor për nxënësit e arsimit të përgjithshëm dhe atij profesional.
Provimet kryesore, përfshirë Gjuhën e Huaj, Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, Matematikën dhe Provimin me Zgjedhje, do të zhvillohen nga data 3 deri më 24 qershor. Gjuha e Huaj do të zhvilllohet më 3 qershor, Gjuha Shqipe dhe Letërisa më 10 qershor, Matematika më 17 qershor, ndërsa Provimi me Zgjedhje më 24 qershor.
Për të ndihmuar maturantët, janë shpërndarë më herët testet model për përgatitje, ndërsa procesi do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.
Njoftimi nga Ministria e Arsimit:
Publikohen datat e provimeve të Maturës Shtetërore për vitin 2025 për nxënësit që ndjekin arsimin e përgjithshëm dhe atë profesional.
Organizimi dhe zhvillimi i provimeve të Maturës Shtetërore janë si më poshtë:
3 qershor: Gjuha e Huaj
10 qershor: Gjuha Shqipe dhe Letërsia
17 qershor: Matematika
24 qershor: Provimi me Zgjedhje
Provimi me zgjedhje ofron një gamë të gjerë lëndësh, duke përfshirë:
Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji dhe Ekonomia dhe Artet: Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike, Histori Baleti.
Të gjitha provimet do të fillojnë në orën 10:00 dhe do të zgjasin 2 orë e 30 minuta. Për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë shumë më herët në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin dhe kërkesat e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për provimet e Maturës.
Procesi i hartimit, administrimit dhe vlerësimit të testeve do të realizohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), duke siguruar standardet më të larta të transparencës dhe korrektësisë.