Këshilli i Bashkisë së Shkodrës e ka nisur mbledhjen e kësaj të mërkure me një minutë heshtje në nderim të viktimave të atentatit të 30 tetorit.
Kërkesa u bë nga këshilltarët e opozitës dhe më pas u miratua unanimisht edhe nga ata socialistë.
Ndërkohë, paralelisht po mbahet dhe një protestë në Tiranë. Dhjetëra qytetarë janë mbledhur para ambienteve të Ministrisë së Brendshme ku dhe një zëri brohorasin që “Shqipëria i thotë jo krimit”.
Kujtojmë se në atentatin e 30 tetorit humbi jetën Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve, Flutura dhe Bashkim Basha. Persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi në drejtim të mjetit me të cilin ishte duke udhëtuar Hamza Lici, Arlind Bushati dhe një person i tretë i cili deri më tani nuk është identifikuar nga autoritetet pasi menjëherë pas ngjarjes u largua në drejtim të paditur.
Si pasojë e breshërisë humbën jetën Hamza Lici, Arlind Bushati si dhe çifti i pafajshëm i bashkëshortëve, Flutura dhe Bashkim Basha të cilët ndodheshin në vendin dhe kohën e gabuar.